Kimmich rinovon me Bayernin deri më 2025

Klubi gjerman Bayern Munich ka rinovuar kontratën me Joshua Kimmich deri në vitin 2025.

Reprezentuesi gjerman fillimisht iu bashkua kampionëve nga RB Leipzig në vitin 2015.

Ai deri më tani ka bërë 264 paraqitje kompetitive për klubin, duke shënuar 30 gola. Gjatë kësaj kohë me 26-vjeçarin, Bayern ka fituar gjashtë tituj të Bundesligës, tre Kupa DFB, Ligën e Kampionëve, pesë Superkupa DFL, Kupën e Botës për Klube FIFA dhe Super Kupën UEFA.

Kimmich u shpreh mjaft i lumtur pas rinovimit të kontratës me klubin gjerman.

“Arsyeja më e rëndësishme për zgjatjen e kontratës sime është se unë mund ta ndjek pasionin tim me gëzim çdo ditë këtu në FC Bayern.

“Unë kam një ekip ku mund të arrij gjithçka, dhe shumë shokë të skuadrës që më janë bërë miq të vërtetë. Kjo është arsyeja pse fillova të luaj futboll në radhë të parë, sepse duhet të jetë argëtuese.

“Unë ende nuk mendoj se jam në fund të zhvillimit tim dhe jam i bindur se ka shumë për të ardhur në FC Bayern në vitet e ardhshme. Për më tepër, familja ime ndihet si në shtëpi këtu. Mynihu është bërë shtëpia e dytë. Kombinimi që kemi këtu nuk gjendet në të gjithë botën”, ka përfunduar reprezentuesi gjerman.