Kisha Ortodokse Greke konteston shitjen e tokës për kolonët hebre

Kisha Ortodokse Greke (KOG) do të sfidojë një vendim të diskutueshëm për shitje të tokës në qytetin e vjetër të Jerusalemit midis KOG-it dhe kolonëve izraelitë, që zemëroi palestinezët, por që u mbështet nga gjykata izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).

Patriarku ortodoks grek për Jerusalemin, Palestinën dhe Jordaninë, Theophilos III, në një konferencë për mediat në Amman tha se ata “refuzojnë publikisht dhe qartë” vendimin e Gjykatës së Qarkut në Jerusalem nga dy javë më parë.

Vendimi i gjykatës ka rindezur mllefin e të krishterëve palestinezë lidhur me shitjen sekrete të dy hoteleve të famshëm dhe ndërtesave përreth tyre që gjenden në afëri të portës Jaffa në Qytetin e Vjetër, nga ana e ish patriarkut Irenios I në vitin 2005, ku si pasojë ai u pezullua nga detyra dhe u degradua në murg.

“Kjo betejë mbi një dekadëshe ka rezultuar me një vendim të padrejtë pasi nuk mori parasysh të gjitha dëshmitë ligjore, të qarta dhe konkrete të Patriarkanës, që dëshmonin për ryshfet dhe komplot”, tha Theophilos III, duke paralajmëruar një ankimim në Gjykatën e Lartë të Izraelit.

“Ky vendim i njëanshëm nuk prek vetëm Patriakanën, por godet m’u në zemër të Qarkut të Krishterë në Qytetin e Vjetër, dhe i njëjti vjen në një kohë tejet delikate duke lënë pasoja negative në praninë e krishtere në Tokën e Shenjtë”, tha ai.

KOG ka në pronësi të saj tokë të madhe në Jerusalem, përfshirë edhe tokën mbi të cilën është ndërtuar Parlamenti izraelit (Kneseti).

Në vitin 2005 kisha i shiti grupit Ateret Cohanim hotelet Petra and Imperial.

Grupi është i njohur për aktivitetet me të cilat synon të krijojë një shumicë hebreje në Qytetin e Vjetër dhe në Jerusalemin Lindor.