Komuniteti shqiptaro-amerikan proteston sot kundër veprimeve luftënxitëse të Serbisë

Komuniteti shqiptaro-amerikan do të protestojë të hënën “kundër terrorizimit dhe veprimeve luftënxitëse të Serbisë”.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se protesta do të mbahet para Selisë së OKB-së në sheshin “Dag Hammarskjöld” në New York “për t’i dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit dhe luftënxitëse të Serbisë”.

“Shqiptaro-amerikanët i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për ta detyruar Serbinë që t’i ndalojë dhe të përmbahet nga veprimet dhe politikat që janë duke e minuar stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit. Së fundmi, më 29 maj 2023, Serbia orkestroi protestat e dhunshme në veriun e Kosovës që rezultuan me sulme të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR. Më 24 shtator 2023 terroristët dhe njësitë para-ushtarake nga Serbia ndërmorën një sulm terrorist në Kosovë. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kërkon që Serbia dhe udhëheqësit e saj të mbahen përgjegjës, si dhe të gjithë të përfshirët në aktet e agresionit dhe terrorizmit të sillen para drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Përmes komunikatës komuniteti shqiptaro-amerikan ka deklaruar se rajoni i Ballkanit është një fuqi baruti.

Sipas tyre, “nëse nuk ndërhyhet, mund të ndizet një luftë e re në zemër të Evropës e që do të jetë një luftë shtesë me të cilën do të duhet të ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar”.