Konjufca takohet me Kearns: U konfirmua mbështetja e fuqishme e Britanisë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar deputeten dhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

Presidenca ka njoftuar se gjatë takimit të tyre u bisedua edhe për ngjarjet e fundit në Banjskë, teksa Konjfuca ka marrë konfirmimin se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, do vazhdojë të jetë e fuqishme.

“Me znj. Alicia Kearns biseduam edhe për ngjarjet e fundit të Banjskës, ku mora konfirmimin se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme. Aktet e agresionit nga Serbia përmes grupeve terroriste nuk është kërcënim vetëm për Republikën e Kosovës, por vendos në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit. Qëndrimi i prerë sot në emër të vlerave të demokracisë është sigurimi i paqes dhe përparimit të nesërm. I urova mirëseardhje në Kosovë, duke e falënderuar për vizitën e saj që vjen si afirmim i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona mike dhe aleate, në një partneritet ku përputhen në plotni linjat e veprimit, interesat dhe qëllimet e synuara”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Po ashtu, Konjfuca ka ritheksuar se prania e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka një peshë të pazëvendësueshme për sigurinë e stabilitetin.

“Ritheksova se prania e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës si dhe në rajon është e një peshe të pazëvendësueshme për sigurinë, stabilitetin dhe përbën garanci ekuilibruese në dinamikat e aktualitetit të brishtë, siç edhe për një të ardhme me vizion të gjerë. Raportet mes dy vendeve tona janë shembullore dhe ne u pajtuam se forcimi i këtij bashkëpunimi në çdo fushë mbetet prioritet, ndërsa angazhimi ynë për këtë vazhdon të jetë i palëkundur”, thuhet tutje në komunikatë