Kosova në mars zhvillon ndeshje me Gjermaninë?

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, në mars të vitit të ardhshëm, mund të luajë ndeshje miqësore me kampionen e botës, Gjermanisë.

Kështu kanë bërë të ditur burime të gazetës brenda Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), shkruan “Koha Ditore”.

Mundësinë për një ndeshje të tillë nuk e ka përjashtuar as sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Salihu ka thënë se bazuar në raportet e ngushta mes dy federatave nuk përjashtohet mundësia e miqësores.

Megjithatë ka shtuar se asgjë konkrete nuk ka tash për tash. Salihu ka bërë të ditur se bashkëpunimi me federatën gjermane do të thellohet edhe më shumë.

Ai ka njoftuar se në fund të këtij muaji FFK-ja do të nënshkruajë një Memorandum bashkëpunimi me Federatën Gjermane për trajnimin e referëve, kontrollorëve, administratorëve dhe të tjerëve që kanë të bëjnë me futbollin.