Kosova U16 shënoi fitore kundër Luksemburgut

Kombëtarja U16 ka shënuar fitore në ndeshjen e dytë miqësore kundër Luksemburgut, me rezultat 5:2, duke e përmirësuar dukshëm lojën në krahim me ndeshjen e parë, të cilën e kishte humbur 2:1.

Djelmoshat e prirë nga Gazmend Haliti e Isa Sadriu në këtë ndeshje patën paraqitje shumë të mirë dhe u treguan tejet efikas në rastet e krijuara. Golat për Kosovën U16 i shënuan Eduard Ibrahimi, Bleron Ademi, Dion Berisha, Gentrit Haxhosaj dhe Armend Qenaj. Pas ndeshjes përzgjedhësi, Gazmend Haliti u shpreh i kënaqur me paraqitjen e djelmoshave të tij.

“Në ndeshjen e parë patëm vështirësi sepse na mungojë finalizimi dhe pas dy gabimeve pësuam humbje. Kësaj radhe e dominuam plotësisht ndeshjen ndaj një kundërshtari shumë të fortë. E patëm posedimin e topit dhe krijuam shumë raste, të cilat i finalizuam me sukses. Bëmë lojë presingu ndaj kundërshtarit në mesfushë dhe sulm, duke qenë gjatë tërë ndeshjes më të mirë. I përgëzoj djemtë për këtë paraqitje dhe besoj se ndeshjet e tilla do të na ndihmojnë të rritemi edhe më shumë“, ka theksuar Haliti.