Kosova U18 me hap të madh drejt kualifikimit në Botëror

Hendbollistet e Kosovës U18 e kanë nisur me fitore turneun “IHF Trophy Intercontinental”, që është garë kualifikuese për Kampionatin Botëror.

Në ndeshjen e parë të luajtur të enjten, Kosova triumfoi ndaj Uzbekistanit me shifrat 27:21. Në fakt, hendbollistet kosovare ishin më të mira gjatë tërë ndeshjes pasi e fituan edhe pjesën e parë me rezultatin 13:8.

Sara Gjergjaj u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes duke realizuar 4 gola. Diona Dresh kontribuoi me 6 gola, ndërsa Arona Krasniqi shtoi pesë gola në këtë triumf të Kosovës U18.

Ndeshjen e radhës në grup, Kosova e luan të premten paradite kundër Guatemalës. Ky turne kualifikues po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit, ndërsa synimi i Kosovës është vendi i parë dhe kualifikimi historik në kampionatin Botëror.

Të shtunën janë ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa të dielën luhet finalja.