Populli shqiptar, në Kosovë dhe jashtë saj, po përjeton momente të rënda pas vendimeve të fundit në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së. Këto vendime kanë shkaktuar dhimbje dhe një ndjenjë të thellë padrejtësie te shqiptarët, të cilët e shohin këtë proces si selektiv dhe si një trajtim që rrezikon të mjegullojë dallimin historik ndërmjet viktimës dhe agresorit.
Kjo situatë kërkon seriozitet dhe përgjegjësi të lartë nga institucionet e Kosovës, sepse pasojat e saj mund të reflektohen në rrafshin e brendshëm, rajonal dhe ndërkombëtar.
Sot Kosovës i nevojiten unitet i brendshëm, institucione të fuqishme dhe diplomaci aktive e të koordinuar. Na duhen më pak debate shterpë dhe përplasje të panevojshme, të cilat e largojnë vëmendjen e opinionit nga çështjet madhore, dhe më shumë punë konstruktive në mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të së vërtetës historike të Kosovës.
Duhet të shmangim temat dhe veprimet që thellojnë ndarjet dhe dëmtojnë kohezionin e vendit. Në momente të tilla, dallimet tona nuk duhet të bëhen më të mëdha se çështjet që na bashkojnë.
Ky është moment për urtësi në vendimmarrje, maturi në fjalë, përgjegjësi në veprim dhe unitet në çështjet madhore.
Zoti e ruajtë Kosovën dhe popullin e saj nga çdo e keqe. Zoti ia lehtësoftë këtë dhimbje dhe i mundësoftë që nga kjo sprovë të dalë më e fortë, më e bashkuar dhe më e zhvilluar.
Hoxhë Rufat Sherifi








