Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dërgohet në mbajtje për 48 orë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjatë ditës së sotme, Ademi është paraqitur në Polici për një intervistë pas ftesës së këtyre të fundit një ditë më parë.

Sot (e mërkurë) gjatë ditës, Prokuroria ka njoftuar se ka marrë masat duke dërguar kryetarin e FFK-së në mbajtje.

Ademi do të jetë në mbajtje për 48 orë shkaku i dyshimit për veprat penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së.

Njoftimi pa ndërhyrje i Prokurorisë

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Prishtinë, 22 mars 2023– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së.

I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale.