Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë vizitë zyrtare në Suedi

Lindita Nikolla, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Suedi, ndërkohë është takuar me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlen

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Suedi, ndërkohë është takuar me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlen, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se është diskutuar për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe në fusha të tjera me interes të dyanshëm mes dy vendeve, si infrastruktura, transporti detar, tekstilet dhe bujqësia.

Gjithashtu theksohet se Nikolla i shprehu homologut suedez mbështetjen e fortë të Shqipërisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe theksoi se kjo forcon Aleancën dhe e bën Evropën më të sigurt.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve po nxiten edhe nga intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar. Ne mund ta avancojmë këtë bashkëpunim për shkëmbimin e përvojave dhe ndihmën gjatë procesit të negociatave me BE-në, duke nxitur gjithashtu bashkëpunimin mes grupeve të miqësisë, komisioneve, deputetëve dhe shërbimeve parlamentare”, ka theksuar Nikolla.

Më tej, thuhet se në fokus të bisedimeve ishin edhe mbështetja e Suedisë ndaj mocionit të Shqipërisë për një rezolutë të re të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës “mbi të ashtuquajturën Rezoluta Dick Marty e vitit 2011 dhe kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE”.

Gjatë vizitës së saj në Suedi, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.