Kur Allahu i do të mirën robit të Tij

Elton Harxhi

Enesi (r.a.) thotë: I Dërguari i Allahut (a.s.) thotë: “Nëse Allahu i do të mirën robit të Tij, ia përshpejton dënimin në këtë botë. E nëse ia do të keqen robit të Tij, nuk e dënon për mëkatet që ka kryer derisa t’i japë atë që meriton në Ditën e Kijametit.”[1]

Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) ka thënë: “Vërtet, madhësia e shpërblimit është po aq e madhe sa sprova. Me të vërtetë, nëse Allahu i Lartësuar e do një popull e sprovon atë. Ai i cili është i kënaqur (me sprovën), Allahu është i kënaqur me të. Ndërsa ai i cili është i hidhëruar (nga sprova), Allahu është i hidhëruar me të.”[2]

Shpjegimi i hadithit

Lidhja e njeriut me Allahun është e përhershme dhe e ngushtë. Që kjo lidhje të jetë sa më e qëndrueshme është mëse e domosdoshme që njeriu të bëjë sa më shumë punë të mira e adhurime. Allahu i Lartësuar e ka nderuar njeriun dhe e ka dalluar atë nga të gjithë krijesat. I Dërguari i Allahut (a.s.) e sqaron mirë se cila është detyra e njeriut ndaj të madhit Zot nën dritën e kësaj pozite të lartë që ia dha Ademit (a.s.) dhe pasardhësve të tij të devotshëm. Ai thotë: “Kush i posedon tre gjëra e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur tek ai se kushdo tjetër, të dojë dikënd vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në mosbesim ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”[3]

Nën dritën e kësaj lidhje të ngushtë midis njeriut dhe Allahut, pozicionimi ynë ndaj fatkeqësive që na ndodhin në jetë duhet të jetë i drejtë. Sprovat e ndryshme që na bien duhet t’i mirëpresim me besimin se Allahu është i Drejtë dhe si rrjedhojë ne duhet të kërkojmë mbështetje dhe strehim vetëm tek Ai.

Ky hadith profetik ndriçon errësirën e zemrave, largon brengën e ankthin dhe i shpërndan retë e pikëllimit e të dëshpërimit. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar thotë: “Mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju, e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu e di, kurse ju nuk e dini.”[4]

Profeti (a.s.) thotë: “Nëse Allahu i do të mirën robit të Tij, ia përshpejton dënimin në këtë botë”. Me të drejtë këtu lind një pyetje: Si mund të konsiderohet i mirë përshpejtimi i dënimit në këtë botë, ndërkohë që njeriu dëshiron të shpëtojë nga çdo dënim sado të mëdhaja që të jenë mëkatet e tij? Duke lexuar me kujdes këtë shprehje themi se: e mira ndaj robit lidhet ngushtë me Vullnetin hyjnor dhe se ndëshkimi e dënimi kanë të bëjnë vetëm me këtë botë. Kjo për një arsye tepër të thjeshtë, ngase dënimi në këtë botë është shumë herë më i lehtë se dënimi në botën tjetër. Dënimi që i vjen njeriut në këtë botë është i shumëllojshëm dhe gjithëpërfshirës ngase përfshin të gjitha llojet e sprovave, të cilat janë sebep për shlyerjen e mëkateve. Si rrjedhojë, në Ditën e Kijametit, njeriu është i pastër nga mëkatet dhe merr atë që meriton, pikërisht shpërblimin që Allahu ka premtuar për robërit e Tij besimtarë. Prandaj, besimtari sprovat e ndryshme të kësaj bote duhet t’i përballojë me durim dhe besim tek premtimi i Allahut, sepse Allahu i Lartësuar do të mirën për robin e Tij, ndërkohë që robi nuk e kupton këtë mirë si të tillë.

Nëpërmjet kësaj shprehje, Profeti (a.s.) na jep një mësim tepër të çmuar: nuk duhet të gëzohemi e të jemi të lumtur kur nuk na zbret ndonjë dënim në këtë botë e çfarëdo lloj përmase që ajo të jetë.

Moszbritja e sprovave ndaj mëkatarëve konsiderohet e keqe që e shtyn akoma më tepër njeriun në humbje. Prandaj edhe Profeti (a.s.) në një hadith thotë: “Allahu ia shtyn afatin keqbërësit, por kur Ai e mbërthen atë, nuk e lëshon më kurrë.”[5]

“Vërtet, madhësia e shpërblimit është aq sa e madhe është sprova..” që do thotë se sa më e madhe të jetë sprova aq më i madh është shpërblimi. Nëse sprova është e lehtë atëherë edhe shpërblimi do të jetë i pakët e nëse sprova është e rëndë, atëherë edhe shpërblimi do të jetë më i madh. Kjo është mirësia dhe bujaria e Allahut që ia jep kujt të dojë.

Nëse Allahu i Lartësuar e do një popull e sprovon atë, sepse nëse nuk i sprovon, atëherë ata zhyten në kënaqësitë e kësaj bote dhe do ta harrojnë Zotin. Ai i cili është i kënaqur me atë që ka caktuar Allahu i Lartësuar atëherë Allahu është i kënaqur me të dhe ka për t’i dhënë një shpërblim shumë të madh. Ndërsa ai i cili nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut, atëherë Allahu është i hidhëruar me të dhe atë e pret një ndëshkim i dhembshëm në botën tjetër.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Dënimi në këtë botë është argument për mirë për besimtarin

2 – Vonimi i dënimit është argument për zemërimin e Allahut

3 – Vlera e kënaqësisë dhe dorëzimit të plotë ndaj caktimit të Allahut.

4 – Kujdesi nga ligështimi.

1 – Dënimi në këtë botë është argument për mirë për besimtarin

Njeriu nuk mund të rrijë pa gabuar, mëkatuar apo të neglizhojë ndaj një obligimi fetar. Prandaj nëse Allahu i do të mirën ia përshpejton dënimin në këtë botë qoftë në pasurinë, familjen apo në veten e tij. Ky dënim i përshpejtuar në këtë botë është një argument i mirë për besimtarin, sepse nëse besimtari bën durim ndaj sprovave duke kërkuar shpërblim tek Allahu i Lartësuar i shlyhen mëkatet. Njëherë një prej sahabëve e pyeti Profetin (a.s.): “Kush prej njerëzve sprovohet më shumë? Profetët, pastaj sipas pozitës së gjithsekujt. Njeriu sprovohet në varësi të besimit të tij. Nëse besimi i i tij është solid atëherë edhe sprova është më e rëndë. Mirëpo nëse besimi i tij është i dobët do të sprovohet në varësi të tij. Sprovat vazhdojnë t’i bijnë robit derisa ai ecën në tokë duke mos patur as edhe një mëkat.”[6] Duke qenë se kjo botë është e përkohshme dhe se lumturia e saj nuk është e përhershme, Allahu i Lartësuar nëpërmjet përshpejtimit të dënimit që ia zbret robit të Tij besimtar, dëshiron që ta kalojë atë në një botë më të mirë të përhershme ku lumturia dhe begatia nuk shteron kurrë. Që ky kalim të jetë i lirë duhet medeomos që besimtari të jetë i pastër nga mëkatet. Pikërisht sprova e përballuar me durim nga besimtari ndez dritën jeshile për të kaluar në këtë kalim në botën tjetër. Realisht, ky është argumenti më i fortë që dëshmon qartë se përshpejtimi i dënimit në këtë botë konsiderohet i mirë për besimtarin.

Llojet e dënimeve

Në lidhje me dënimin, ai është disa llojesh:

Që ka lidhje me fenë: kjo është më e rënda, sepse njeriu mund të ruhet ndaj ndëshkimeve që janë të prekshme. Ndërsa ndaj këtij ndëshkimi nuk mund të ruhet askush përveç atij personi që Allahu ia mundëson një gjë të tillë. Shembull i këtij ndëshkimi është rasti kur njeriu e quan mëkatin si të vogël, kur i lë pas dore obligimet fetare, apo kur nuk urdhëron për mirë e ndalon nga e keqja. Të gjitha këto konsiderohen si fatkeqësi me të cilat njeriu ndëshkohet në fenë dhe besimin e tij. Argument për këtë është ajeti kuranor: “Nëse ata të kthejnë kurrizin e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre.”[7]

Që ka lidhje me vetë njeriun: ka të bëjë me sëmundjet e ndryshme që e godasin njeriun në jetë. Këto sëmundje mund të jenë të lehta, por mund të jenë edhe të rënda. Mund të zgjasin pak, por mund të zgjasin për një periudhë kohore shumë të gjatë dhe mund të zgjasin deri në fund të jetës së njeriut.

Që ka lidhje me familjen: në rastin kur njeriu humbet një nga pjestarët e familjes, humbet të dashurin e zemrës, apo kur të dashurve të tij u zbret ndonjë fatkeqësi.

Që ka lidhje me pasurinë: në rastin kur njeriut i humbet pasuria apo i shkatërrohet. Pjesë e pasurisë së tij konsiderohet gjithçka që njeriu posedon.

Vërejtje: Ky hadith e nxit besimtarin që të bëjë durin në rastet kur atij i bie ndonjë fatkeqësi. Mund të ndodhë që njeriu nuk ka bërë mëkate dhe atij i bie një fatkeqësi. Njeriu kurrësesi nuk duhet të thotë: unë nuk kam gabuar, atëherë përse më ra kjo fatkeqësi? Kjo fatkeqësi që njeriut i ka rënë është sprovë nga Allahu për robërit e Tij, nëse do të durojnë apo jo. Në këtë rast, njeriu ngrihet në gradë më të larta sepse shpërblehet në sajë të durimit të tij ndaj fatkeqësisë. Shembulli më i mirë për këtë është Profeti i Allahut, Ejubi (a.s.) po ashtu edhe Profeti Muhamed (s.a.v.s.). Nga sa u tha më sipër, mund të themi se:

Kur njeriut i bie një fatkeqësi, atëherë nëpërmjet saj atij i shlyhen mëkatet dhe ndëshkimi i tij përshpejtohet në këtë botë. Kjo është e mirë për të ngase ndëshkimi në këtë botë është shumë herë më mirë se ndëshkimi në botën tjetër.

Fatkeqësia që mund t’i bjerë njeriut mund të jetë më e rëndë se mëkatet. Kjo për arsye që njeriu të bëjë durim dhe të arrijë në gradët më të larta të besimit, sepse durimi në lidhje me besimin i ngjan kokës në lidhje me trupin.

2 – Vonimi i dënimit është argument për zemërimin e Allahut

E nëse Allahu ia do të keqen robit të Tij, atëherë e lë atë pa e ndëshkuar në këtë botë. Njeriu vazhdon të mëkatojë e të gabojë, atë nuk e godet asnjë e keqe, e kështu ai kujton dhe mendon se gjendja e tij do të jetë gjithmonë e tillë. Mirëpo ai harron se në Ditën e Kijametit kur të dalë përpara Allahut të Lartësuar për të dhënë llogari, ai është i mbushur plot e përplot me mëkate dhe gjynahe, sepse mëkatet nuk i janë shlyer dhe as i janë fshirë. Pikërisht, këtë gjë e lexojmë tek fjalët e Profetit (a.s.): “E nëse ia do të keqen robit të Tij, nuk e dënon për mëkatet që ka kryer derisa t’i japë atë që meriton në Ditën e Gjykimit.” Ndërsa në një hadith tjetër Profeti (a.s.) thotë: “Nëse shikon që Allahu i jep robit të Tij mëkatar në këtë botë atë ç’ka ai dëshiron, dije se ajo është joshje. Më pas, i Dërguari i Allahut lexoi ajetin kuranor: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam ata befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.”[8] Doktor Uehbe Zuhejli duke komentuar këtë ajet kuranor thotë: “Thënia e Allahut: “Kur ata i harruan” do të thotë se kur ata i kthyen shpinën paralajmërimeve të Profetëve të cilët i qortuan, por edhe i përgëzuan, bënë sikur i harruan, i lanë pas shpine paralajmërimet dhe vazhduan të këmbëngulnin në mosbesimin dhe inatin e tyre. Ata vazhduan të ishin në këtë gjendje derisa Zoti ua çeli atyre dyert e riskut, mirëqënies, shëndetit, rehatisë, sigurisë dhe shumë të mirave të tjera. Në fakt kjo çelje nuk ishte gjë tjerër vetëm se një joshje derisa arritën në gradën kur ata ishin shumë të lumtur e të gëzuar me atë që kishin në posedim prej fëmijëve, pasurisë dhe mirësive të ndryshme, i dënuam papritur me një dënim shfarosës dhe kështu ata ishin të pikëlluar që të shpëtonin nga ky dënim apo të mos largoheshin nga mirësitë që kishin.”[9]

3 – Vlera e kënaqësisë dhe dorëzimit të plotë ndaj caktimit të Allahut

Dorëzimi dhe të qënurit i kënaqur me atë ç’ka Allahu ka caktuar për njeriun është dëshmi e besimit të fortë, shpëtimit nga zjarri i Xhehenemit dhe fitores së Xhenetit të amshueshëm. Pikërisht, këtë gjë ka patur Profeti (s.a.v.s.) për qëllim në këtë hadith kur ka thënë: “Ai i cili është i kënaqur (me sprovën), Allahu është i kënaqur me të”. Që Allahu të jetë i kënaqur ndaj robit të Tij, duhet që në rradhë të parë robi të jetë i kënaqur me atë ç’ka ka caktuar Allahu për të.

Në shumë hadithe të tjera, Profeti (a.s.) flet me superlativa për shpërblimin e atij që është i kënaqur dhe i dorëzohet caktimit të Allahut në sprovën që i ka rënë. Ebu Hurejra transmeton se njëherë Profeti (a.s.) i pati thënë disa prej grave të ensarëve: “Nëse dikujt prej jush u vdesin tre fëmijë, dhe ju duroni, atëherë ju me patjetër do të hyni në Xhenet. Një prej grave tha: O i Dërguari i Allahut: Po nëse i vdesin dy?Po, edhe nëse i vdesin dy.”[10] Në një hadith tjetër Profeti (a.s.) thotë: “Çdo myslimani të cilin e godet një fatkeqësi dhe thotë ashtu siç e ka urdhëruar Allahu të thotë: Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi, O Zot më jep shpërblim nga kjo fatkeqësi, dhe ma zëvendëso me një më të mirë, veçse Allahu ka për t’ia zëvendësuar me një më të mirë.”[11] Ebu Musa El Esh’ari transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse njeriut i vdes fëmija, Allahu u thotë ëngjëjve: A ia morrët shpirtin djalit të robit Tim? Po – përgjigjen ata. Ai u thotë: a ia morrët shpirtin frytin e zemrës së tij? Po – përgjigjen ata. Ai u thotë: Çfarë tha robi Im? Ata thonë: Të ka falenderuar dhe kanë thënë të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Allahu thotë: Ndërtojini robit Tim një shtëpi në Xhenet dhe quajeni shtëpia e falenderimit.”[12]

Pikërisht, për këtë arsye besimtari duhet të jetë i kënaqur me Allahun, duhet t’i dorëzohet me të gjithë qënien e tij vetëm Atij, sepse Allahu i Lartësuar e di se ç’ka është e mirë për besimtarin në këtë botë dhe në botën tjetër. Falenderimi i takon vetëm Allahut dhe askujt tjetër.

4 – Kujdesi nga ligështimi

Ligështimi është dëshmi e mungesës së besimit të plotë, moskënaqësisë dhe paaftësisë për të kryer atë për të cilën jemi urdhëruar për të vepruar në rastet e sprovës. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm; kur atë e godet e keqja ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprac. Përjashtim bëjnë ata që falen.”[13] Ibn Kethiri thotë: “Nëse atë e godet një e keqe, frikësohet, ligështohet, zemra sa nuk i plas nga frika dhe bëhet aq pesimist sa mendon se pas kësaj nuk i vjen asnjë e mirë më.”[14] Është ky ligështim që e kaplon njeriun për të cilin Profeti (s.a.v.s.) në këtë hadith thotë: “Ndërsa ai i cili është i hidhëruar (nga sprova), Allahu është i hidhëruar me të.” Ai i cili hidhërohet me sprovën dhe nuk është i kënaqur me atë ç’ka Allahu ka caktuar për të, atëherë Allahu është i hidhëruar me të dhe atë e pret një ndëshkim i dhimbshëm. Qëllimi i këtyre fjalëve është që ta nxisë njeriun që në raste fatkeqësishë të bëjë durim. Njëherë, Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Në një nga popujt para jush, ka qenë një burrë i plagosur. Për shkak se nuk e duroi dhimbjen, ai mori një thikë dhe preu derën e vet. Kështu gjaku rrodhi, derisa vdiq. Allahu i Lartësuar tha: Robi Im nxitoi t’ia sjellë vetes vdekjen, kështu që Unë ia kam ndaluar atij Xhenetin.”[15]

Përmbledhje

Allahu i Lartësuar nuk e ndëshkon askënd që me herën e parë kur ai mëkaton. Mëshira e Allahut është shumë herë më e madhe nga ajo që ne mund të mendojmë. Nëse njeriu bën një mëkat, me të cilin Allahu është i hidhëruar, atëherë Allahu i Lartësuar e ndëshkon lehtësisht në jetën e kësaj bote. Ky ndëshkim është shumë herë më mirë sesa ndëshkimi në botën tjetër.

Ka njerëz të tjerë të cilët mëkatojnë vazhdimisht duke kujtuar se kështu qenka më mirë për ta, përderisa nuk ndëshkohen. Ata besojnë se janë në rrugën e duhur. Të tillë njerëz e kanë harruar ajetin kuranor: “Thuaj: A doni t’ju lajmëroj për atë, që më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?”[16]

Ne e dimë mjaft mirë se Allahu i Lartësuar na ka dhënë shumë kohë, për të vetmen arsye që të pendohemi për mëkatet e kryera. E Ai e pranon pendesën tonë, sepse është Mëkatfalës dhe Mëshirues.

Mirëpo ka disa njerëz (që janë të shumtë në numër) të cilët janë të zhytur në mëkate e nuk pendohen kurrë. Të tillëve, Allahu u jep një afat, por ata vazhdojnë të kryejnë mëkate dhe gjynahe. Nëse këta njerëz do ta dinin dhe kuptonin se Allahu e pranon pendesën, atëherë do të rendnin me lutje dhe përgjërim tek Ai.

Dije o vëlla dhe ti oj motër se kur ti bën një mëkat sado i vogël që ai të jetë dhe më pas ndëshkohesh për shkak të tij, kjo është një shenjë e mirë që dëshmon se Allahu i Lartësuar të do, dëshiron më të mirën për ty dhe dëshiron që ti të jesh i pastër në ditën e takimit me Të. Kurrë mos thuaj: Përse dhe as mos i kthe shpinën Krijuesit, por thuaj: Elhamdu-lilah.

Argumentet dhe dobitë e hadithit

1 – Përshpejtimi i ndëshkimit në këtë botë është një shenjë e mirë që tregon se Allahu i Lartësuar e do robin e Tij dhe që nëpërmjet saj e ngren atë në gradë më të larta.

2 – Ndëshkimi i botës tjetër është më i dhimbshëm dhe më i vështirë. Prandaj për atë njeri që Allahu nuk ia do të mirën, ai do ta marrë ndëshkimin e merituar në botën tjetër.

3 – Njerëzit sprovohen në varësi të besimit dhe veprave të tyre.

4 – Motivimi për të duruar derisa njeriu të fitojë kënaqësinë e Allahut.

5 – Durimi ndaj fatkeqësive dhe sëmundjeve është shkak për pastrimin e mëkateve.

6 – Kur besimtari sprovohet duhet të jetë i kënaqur dhe nuk duhet të jetë pesimist e i hidhëruar.

7 – Ai i cili bën durim ndaj fatkeqësive do të shpërblehet, ndërsa ai cili nuk bën durim ka humbur një të mirë shumë të madhe.

8 – Njeriu duhet të ketë mendim të mirë për Allahun.

9 – Pohimi se Allahu kënaqet dhe hidhërohet.

Epilog

Ahnef ibn Kajs tregon: “Shkova tek xhaxhai dhe u ankova për dhimbjen e barkut, mirëpo ai më qortoi duke më thënë: – O biri i vëllait tim! Mos u anko tek askush për një fatkeqësi që të ka rënë, sepse njerëzit janë dy llojesh: miku yt i cili dëshpërohet ose armiku yt i cili kënaqet. O biri i vëllait tim! Mos u anko tek një krijesë e cila është e ngjashme si ty, i cili nuk ka mundësi të ta largojë të keqen. Kërko tek Ai i Cili të ka sprovuar, sepse vetëm Ai ta largon të keqen. O biri i vëllait tim! Me njërin prej syve të mi nuk kam parë fushë e as mal qysh prej 40-të vitesh dhe askujt nuk i kam thënë për këtë.”

[1] Tirmidhiu (2396) Hadithi është Hasen Sahih.

[2] Tirmidhiu(2396) Hadithi është Hasen Garib. Në zinxhirin e këtij transmetimi ndodhet Sa’d ibnu Sinan i cili është i vetmi që e transmeton këtë hadith, prandaj edhe imam Tirmidhiu e ka vlerësuar këtë hadith Hasen.

[3] Buhariu (16) dhe Muslimi (43).

[4] Sure El Bekare: 216.

[5] Buhariu (4686) dhe Muslimi (2583)

[6] Tirmidhiu (2398). Hadithi është hasen sahih.

[7] Sure El Maide: 49.

[8] Ahmedi (17311) Hadithi është hasen.

[9] “Tefsirul Munir” i doktor Uehbe Zuhejli: 4/209.

[10] Buhariu (1249) Muslimi (2632).

[11] Muslimi (918).

[12] Tirmidhiu (1021). Imam Albani ka thënë se hadithi është Hasen.

[13] Sure El Mearixh: 19-22.

[14]“Tefsiri i Ibn Kethirit” 14/132.

[15] Buhariu (3463) dhe Muslimi (113).

[16] Sure El Kehf: 103-104.