Sa herë që Kosova përballet me krizë politike, vakum institucional apo tension shoqëror, çuditërisht rikthehen narrativat që përpiqen ta paraqesin Islamin, xhaminë dhe besimtarët myslimanë si rrezik për kombin dhe shtetin.
Edhe kësaj radhe po qarkullojnë materiale të paraqitura si “dokumente top sekret të UDB-së”, mbi të cilat ndërtohen pretendime serioze për rolin e Islamit dhe të institucioneve islame në Kosovë. Mirëpo, para se materiale të tilla të trajtohen si fakte historike, duhet të shtrohen disa pyetje elementare: Ku janë dokumentet origjinale? Në cilin arkiv gjenden? Cila është data dhe numri i protokollit? Kush e ka verifikuar autenticitetin e tyre?
Një tekst i përkthyer dhe i publikuar pa këto elemente nuk mund të merret vetvetiu si dokument autentik dhe mbi të të ndërtohen akuza ndaj një bashkësie të tërë fetare.
Për më tepër, këtu kemi një kundërthënie të madhe historike: nëse ndërtimi dhe ekzistenca e xhamive paska qenë projekt strategjik i Serbisë, atëherë përse forcat serbe i dogjën, i granatuan dhe i shkatërruan ato gjatë luftës në Kosovë?
Dokumentacioni i paraqitur edhe para Tribunalit të Hagës dëshmon se nga 568 xhami funksionale para luftës, pothuajse gjysma u dëmtuan ose u shkatërruan gjatë viteve 1998–1999. Vetëm gjatë vitit 1999 janë dokumentuar 197 xhami dhe 9 teqe të dëmtuara ose të shkatërruara nga forcat serbe. Edhe organizata ndërkombëtare kanë dokumentuar në përmasa të mëdha shkatërrimin e objekteve fetare islame gjatë luftës.
Pra, kemi të drejtë të pyesim: si mund të paraqitet Serbia njëkohësisht si projektuese e “islamizimit” të Kosovës, kur aparati i saj shtetëror e ushtarak shkatërronte pikërisht xhamitë, trashëgiminë islame dhe dëbonte popullsinë shqiptare?
Po aq shqetësuese është kur këto narrativa shndërrohen në sulme ndaj vetë besimtarëve. Herë pas here dëgjojmë përgjithësime sipas të cilave njerëzit që falen apo praktikojnë fenë qenkan hipokritë, gënjeshtarë apo më pak patriotë. Një përgjithësim i tillë nuk është argument; është paragjykim dhe fyerje ndaj një pjese të madhe të qytetarëve të Kosovës.
Natyrisht, askush nuk bëhet automatikisht njeri i mirë vetëm pse falet, sikurse askush nuk bëhet patriot vetëm duke folur për kombin. Njeriu vlerësohet edhe nga ndershmëria, morali, përgjegjësia dhe veprat e tij. Por devijimet apo gabimet e individëve nuk mund t’i atribuohen një feje dhe as miliona njerëzve që e praktikojnë atë.
Shqiptari mysliman nuk ka nevojë të zgjedhë mes fesë, kombit dhe shtetit të vet. Përkushtimi fetar nuk e përjashton atdhedashurinë. Historia jonë njeh shumë besimtarë, hoxhallarë dhe prijës fetarë që i kanë shërbyer kombit, lirisë dhe Kosovës me dinjitet e sakrificë.
Nëse Serbia historikisht ka punuar për përçarjen e shqiptarëve, atëherë ndarja e shqiptarëve sot në “patriotë” dhe “besimtarë”, apo paraqitja e myslimanit praktikues si element i dyshimtë për shtetin dhe kombin, vetëm sa ushqen një përçarje që nuk i shërben Kosovës.
Prandaj, le të diskutojmë me dokumente të verifikuara, burime, arkiva dhe fakte, jo me etiketime si “Kandahar”, me fyerje ndaj njerëzve që falen dhe as me akuza kolektive.
Kosova është atdheu ynë i përbashkët. Besimi në Zot dhe dashuria për atdheun nuk janë armiq të njëri-tjetrit. Patriotizmi nuk ndërtohet duke fyer besimin e tjetrit, sikurse as besimi nuk dëshmohet duke mohuar kombin dhe atdheun.
26.08.2026
Hoxhë Bedri Syla









