Kurani i mrekullueshëm (4)

Gary Miller

Nëse ka me miliona mënyra që Kurani të jetë i gabueshëm, për sa herë që ai është i saktë, atëherë nuk ka të ngjarë që e ka bërë dikush që i ka dhënë zgjidhje qorrazi.

Është befasuese se sa autentik bëhet Kurani kur dikush bashkon atë që ne mund t’i referohemi, si një listë e zgjedhjeve të mira. Matematikisht kjo mund të shpjegohet duke përdorur shembujt e gjetjeve dhe parashikimeve. P.sh., nëse një njeri ka dy zgjedhje për të bërë (ku njëra është e drejtë dhe tjetra e gabuar), dhe ai mbyll sytë e bën një zgjedhje, atëherë gjysmën e kohës ai do të ketë të drejtë (një herë në dy).
Në parim ai ka një në dy mundësi për të bërë zgjedhjen e gabuar, ose për të bërë zgjedhjen e duhur. Tashti nëse i njëjti person ka dy situata të tilla (ku ai mund të jetë i saktë apo i gabuar në situatën e parë dhe i saktë apo i gabuar në situatën e dytë) dhe ai mbyll sytë për të bërë zgjedhjen, atëherë ai do të jetë i saktë një të katërtën e kohës (ose një herë në katër). Ai tashti ka një në katër mundësi, sepse tashti ai do të ketë tri mënyra për të qenë i gabuar dhe vetëm një mënyrë që ai të jetë i saktë.
E thënë sa më thjeshtë, ai mund të bëjë zgjedhjen e gabuar në situatën nr. 1 dhe më pas zgjedhjen e gabuar në situatën nr. 2; ose ai mund të bëjë zgjedhjen e gabuar në situatën nr. 1 dhe më pas zgjedhjen e duhur në situatën nr. 2; ose ai mund të bëjë zgjedhjen e duhur në situatën nr. 1 dhe më pas zgjedhjen e gabuar në situatën nr. 2; ose ai mund të bëjë zgjedhjen e duhur në situatën nr. 1 dhe më pas zgjedhjen e duhur edhe në situatën nr. 2.
Natyrisht që shembulli i vetëm ku ai mund të jetë krejtësisht i saktë është skenari i fundit, ku ai mund t’i zgjidhi që të dy situatat në mënyrë korrekte. Probabiliteti për të bërë zgjedhjet e duhura është rritur, sepse numri i situatave për të bërë zgjedhjen e duhur është rritur; dhe ekuacioni matematikor që përfaqëson një skenar të tillë është ½ x ½ (një herë në dy për situatën e parë e shumëzuar me një herë në dy për situatën e dytë).
Duke vazhduar me shembullin, nëse i njëjti person tashmë do të ketë tri situata në të cilat ai duhet të bëjë zgjedhje të verbra, atëherë ai do të jetë i saktë vetëm një të tetën e kohës (një herë në tetë ose ½ x ½ x ½).
Përsëri probabiliteti për të bërë zgjedhjen e saktë në të tria situatat i ka rritur shanset e tij për të qenë krejtësisht i saktë në vetëm një herë në tetë. Ajo çka duhet të kuptohet është që nëse numri i situatave rritet, shanset për të qenë i saktë rriten, sepse për të dy fenomenet proporcionet janë të kundërta. Tashmë duke e zbatuar këtë shembull për situatat që paraqiten në
Kuran, nëse ndokush do të bënte një listë për të gjitha temat rreth të cilave Kurani ka dhënë shpallje, neve na bëhet shumë e qartë që ka shumë pak të ngjarë që të gjitha ato të jenë zgjedhje të sakta qorrazi. Në të vërtetë subjektet e diskutuara në Kuran janë të panumërta dhe kështu probabiliteti që dikush vetëm duke pasur fat në zgjedhjet e tij përreth të gjithë këtyre zgjedhjeve bëhet praktikisht nul (një hiç). Nëse ka me miliona mënyra që Kurani të jetë i gabueshëm, për sa herë që ai është i saktë, atëherë nuk ka të ngjarë që e ka bërë dikush që i ka dhënë zgjidhje qorrazi. Tre shembujt që ndjekin më poshtë për temat, të cilat Kurani ka dhënë shpallje të saktë, të gjithë këta na sqarojnë se si Kurani vazhdon të thyejë çdolloj probabiliteti. Në kreun 16 të Kuranit thuhet se bleta femër largohet nga kosherja për
të mbledhur ushqim. Porse një person që zgjedh qorrazi thotë: “Bleta që ne po shohim të na fluturojë përreth, a është mashkull apo femër? Unë them se është femër.” Natyrisht që ai ka një shans në dy për të qenë i saktë, porse Kurani ka gjithmonë të drejtë. Porse gjithashtu ndodhte që pjesa më e madhe e njerëzve të mos besonin në atë që zbulohej në Kuran. A mundet të na i tregoni ndryshimet ndërmjet një blete femër apo mashkull? Epo, na duhet të marrim një specialist për ta bërë këtë, porse është zbuluar që një bletë mashkull nuk largohet kurrë nga kosherja për të mbledhur ushqim. Megjithatë në njërën nga dramat e Shekspirit, Henri IV, ku disa nga personazhet diskutojnë dhe përmendin se bletët kanë mbret dhe janë ushtarë. Ky ishte mendimi i njerëzve në kohën e Shekspirit, që bletët që i shohim të fluturojnë rreth nesh janë bletë meshkuj dhe ata shkojnë në koshere dhe i përgjigjen mbretit të tyre. Sidoqoftë kjo nuk është e vërtetë. Fakti është se ato janë bletë femra dhe i përgjigjen mbretëreshës së tyre. Iu desh shkencës moderne dhe hetimeve të saj të këtyre 300 vjetëve të fundit për të zbuluar se si qëndron kjo çështje.
Duke iu kthyer listës së përzgjedhjeve të mira rreth çështjes së bletëve, Kurani ka 50/50 shanse për të qenë i saktë.
Veç temës së bletëve në Kuran trajtohet gjithashtu dielli dhe mënyrat se si ai udhëton në hapësirë. Përsëri një person mund të bëjë një zgjedhje për këtë temë. Kur dielli udhëton nëpër hapësirë ka dy mundësi: ai udhëton siç udhëton një gur që dikush e ka hedhur; apo ai lëviz sipas një rregulli të caktuar. Kurani na shpall këtë të fundit, që ai lëviz si rezultat i një rregulli të caktuar. Për ta bërë një gjë të tillë, Kurani përdor një formë të fjalës arabe sabaha, ku përshkruan lëvizjen e diellit nëpër hapësirë. Me qëllim që t’i japë një kuptim më të mirë lexuesit dhe më të përshtatshëm të kësaj folje në arabisht, po japim shembullin në vijim. Nëse një njeri është brenda në ujë dhe folja sabaha zbatohet në referencë me lëvizjen e tij, me këtë nënkuptohet që ai po noton, duke lëvizur sipas një rregulli të caktuar dhe jo si rezultat i ndonjë force të drejtpërdrejt të ushtruar mbi të. Kështu që kur kjo folje përdoret në referencë me lëvizjen e diellit nëpër hapësirë, ajo në asnjë mënyrë nuk nënkupton që dielli po fluturon i pakontrolluar nëpër hapësirë, si rezultat që e kanë vërvitur apo ngjashëm. Kjo thjesht do të thotë që dielli po rrotullohet e udhëton si zakonisht. Tashti kjo është ajo që pohon Kurani, por a është ndonjë gjë e lehtë për t’u zbuluar? A mund të na thotë ndonjë njeri i zakonshëm që dielli po rrotullohet? Vetëm në kohët moderne u bënë të mundshme pajisjet e posaçme për ta projektuar imazhin e diellit në një tabelë, kështu që mund ta shikoje pa u qorruar. Nëpërmjet këtij procesi jo vetëm që u zbuluan njollat në diell, porse këto njolla lëviznin një herë në 25 ditë. Kësaj lëvizje i referohemi si rrotullim i diellit përreth boshtit të vet dhe si përfundim na provon atë që Kurani e ka shpallur 1400 vite më parë: dielli rrotullohet e udhëton nëpër hapësirë.
Duke iu kthyer edhe një herë listës së përzgjedhjeve të mira, probabiliteti për gjetjen e saktë rreth të dyja temave, gjinisë së bletëve dhe lëvizjes së diellit është një në katër!
Duke u kthyer mbrapa, 1400 vjet më parë, me siguri që njerëzit nuk dinin aspak rreth zonave të ndarjes orare dhe shpalljet e Kuranit rreth kësaj teme janë me të vërtetë befasuese. Koncepti që një familje po ha mëngjesin ndërkohë që dielli po ngrihet, ndërsa një familje tjetër po i gëzohet ajrit gjallërues të natës është me të vërtetë diçka e mrekullueshme,
qoftë edhe në kohët moderne. Me të vërtetë që 14 shekuj më parë një njeri nuk mund të udhëtonte më shumë se 40 km në ditë dhe kështu atij i duheshin me muaj që të udhëtonte nga India për në Marok fjala vjen. Ndoshta kur ai hante darkë në Marok, ai mendonte me vetveten se: “Në shtëpinë time në Indi tamam në këto çaste po hanë darkë edhe ata!” Kjo ndodhte edhe pse njerëzit nuk ishin në gjendje të kuptonin, që gjatë kohës së udhëtimit ata kalonin nëpër zona të ndryshme të orarit. Tashmë ngaqë është fjalë e Allahut, të Gjithëdijshmit, Kurani e njeh dhe e vërteton një fenomen të tillë. Në një ajet shumë interesant aty shpallet se kur të vijë fundi i historisë dhe do të vijë Dita e Gjykimit, e gjitha kjo ka për të ndodhur në një çast; dhe në ky çast do t’i kapi disa njerëz ditën dhe disa të tjerë natën. Kjo gjë na e ilustron qartë urtësinë hyjnore të Allahut dhe dijen e Tij të mëparshme për ekzistencën e zonave orare të ndryshme, megjithëse një zbulim i tillë nuk ishte bërë akoma 1400 vjet më parë. Natyrisht që ky fenomen nuk është diçka e natyrshme për syrin e çdokujt apo vjen si rezultat i përvojës së dikujt dhe kjo në fakt përbën në vetvete një provë të mjaftueshme të autenticitetit të Kuranit.
Duke iu kthyer për herë të fundit temës së përzgjedhjeve të mira, duke pasur si qëllim shembullin e dhënë, probabiliteti që dikush t’i gjejë saktësisht që të tre shembujt e sipërpërmendur – gjininë e bletëve, lëvizjen diellore dhe zonat e ndryshme orare, – janë një në tetë.
Sigurisht që dikush mund të vazhdojë e të vazhdojë me këto shembuj, duke përpiluar lista të stërzgjatura të përzgjedhjeve të mira; dhe është e natyrshme që probabiliteti do të rritet e do të rritet me shtimin e temave të ndryshme, për të cilat dikujt i duhet të përzgjedhë atë të saktën. Por ajo që askush nuk mundet ta mohojë është se: probabiliteti që Muhamedi një
analfabet t’i gjejë me saktësi me mijëra e mijëra tema të ndryshme, pa gabuar asnjëherë, janë aq të larta, saqë çdolloj teorie mbi autorësinë e tij të Kuranit duhet krejtësisht të rrëzohet, qoftë edhe nga armiqtë më të rreptë të Islamit.
Në të vërtetë që Kurani e pret këtë lloj sfide. Pa dyshim që nëse dikush do t’i thoshte dikujt në kohën kur ai po hyn në një vend të huaj: “Unë e njoh babanë tënd. Unë e kam takuar atë.” Ndoshta burri i atij vendi do të dyshonte për fjalët e të sapoardhurit, duke i thënë: “Ti sapo ke ardhur. Si ka mundësi që ta njohësh babanë tim?” dhe si rezultat do ta pyeste atë: “A është babai im i gjatë, i shkurtër, i zi, i ndershëm? Si është në paraqitje?” Natyrshëm që nëse vizitori do të vazhdojë të japë përgjigje korrekte për të gjitha pyetjet, skeptiku nuk do të ketë çfarë të thotë tjetër veçse: “Them se e njihje babin tim. Unë nuk e di se si ka mundësi që ta njihni, por them që e njihni.” Situata është e njëjtë me Kuranin. Ai shpall se e ka origjinën nga Allahu, i Vetmi që ka krijuar gjithçka. Kështu çdokush ka të drejtë të thotë: “Më bind mua. Nëse autori i këtij libri realisht ka krijuar jetën dhe gjithçka ka në qiej e në Tokë, atëherë Ai duhet të dijë rreth kësaj apo asaj, e kështu me radhë. Dhe pashmangshmërisht pasi ta ketë hulumtuar Kuranin, çdokush do të zbulojë të njëjtën gjë. Veç kësaj të gjithë ne e dimë me siguri që nuk është e nevojshme që të gjithë ne të jemi ekspertë për të verifikuar pohimet e bëra në Kuran. Besimi i çdokujt rritet kur ai përpiqet të hulumtojë dhe të gjejë të vërtetat që përmban Kurani, dhe supozohet që ai ta bëjë këtë gjë gjatë gjithë jetës së tij.
Allahu i Lartësuar ia mundësoftë udhëzimin të gjithëve për të qenë pranë të vërtetës!

Shtojcë

Copëza urtësie nga Kurani famëlartë:
“…E nuk ka dyshim se në këtë (rrënim) për një popull që kupton ka argument”. (Neml, 52)
“…S’ka dyshim se në këtë ka argument për secilin njeri që kthen mendjen te Zoti”. (Sebe’ë, 9)
“…Vërtet që në këtë ka një shenjë treguese të qartë për ata që besojnë”. (El-Ankebut, 44)
“…kjo është me të vërtetë argument për njerëzit të cilët mendojnë”. (Nahl, 11)
Ajetet e sipërcituara kanë qenë, janë dhe do të jenë nxitëse të arsyes së shëndoshë për të gjithë, jo vetëm për dijetarët e fesë, për të gjetur urtësitë e pafundme që gjenden në Kuranin famëlartë.(1) Këto ajete i nxisin ata që besojnë në Zotin e Madhëruar dhe mendojnë me arsye të ftohtë drejt shkencës së vërtetë dhe studimeve për këtë Libër Hyjnor, por edhe për natyrën dhe gjërat që na rrethojnë. Më se e qartë është edhe nga titulli që këto janë copëza shumë të vogla të Urtësisë Hyjnore në krahasim me të tërën, por që vërtetojnë pa dyshim saktësinë e këtij libri dhe besnikërinë me të cilën i Dërguari i Zotit, Muhamedi (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ua përcolli njerëzve. Gjithashtu këto ajete tregojnë universalitetin e kësaj thirrjeje, jo vetëm për njerëzit dhe kohët, por edhe për fushat e ndryshme të dijes që përfshihen në të. Logjika shpjeguese e ajeteve kuranore është e thjeshtë dhe pa shumë ndërlikime, porse njerëzimi dhe ata që besojnë duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të arritur nivele të larta shkencore dhe dijeje, që më pas të kenë mundësi ta kuptojnë urtësinë që gjendet nëpër rreshtat e këtij libri të lartë. E falënderojmë Zotin e Madhëruar për këtë Libër Hyjnor dhe e lusim të na e shtojë dijen të gjithëve për t’i hyrë sa më thellë kuptimeve të Kuranit famëlartë.
“Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimisë) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj ose fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është më i Dijshmi, më i Urti.” (Nisa, 11.)
Nga Kurani famëlartë ka dalë një nga legjislacionet më të përsosura dhe ky është Islami. Edhe sot e kësaj dite juristët islamë nxjerrin ligje dhe vendime të ndryshme nga ky libër. Ky ajet i veçuar nga surja Nisa, është njëri ndër ato ajete që merren me ndarjen e mallit dhe të pasurisë së atij që ka vdekur dhe ka lënë trashëgimi pas vetes (pasuri të tundshme ose të patundshme). Ky ajet pos pasojave ligjore që nxjerrin juristët, i nxit ata, të cilët e kanë për detyrë të merren me këtë punë që të merren edhe me aritmetikë dhe përllogaritjet përkatëse. Këto përllogaritje bëhen në bazë të situatave të ndryshme vijuese në të cilat gjendet familja e atij që ka lënë vasijet (testament). Pra, në bazë të një ekuacioni që ngrihet prej numrit të pjesëtarëve, llojit të tyre (mashkull apo femër) dhe të afrimitetit të tyre me të vdekurin; bëhen përllogaritjet dhe nxirren përfundimet. Po ashtu nga ana aritmetike vërehet se ky ajet nxit edhe veprimet thyesore, mbledhjet dhe zbritjet. Kjo është nxitje prej Zotit të Gjithfuqishëm për ata që mendojnë.
“Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut, është si i një kokrre që i mbin shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është bujar i madh, i di qëllimet”. (El-Bekare, 261.)
Ky ajet i Kuranit famëlartë u tregon dhe i nxit njëkohësisht të gjithë ata njerëz që të japin diçka nga pasuria e tyre në rrugë të Allahut. Allahu i shpërblen bujarisht të gjithë ata që shpenzojnë sadopak për hir të tij. Në këtë ajet përveç që tregon se sa mbërrin shpërblimi i Allahut ka edhe dy urtësi të tjera: njëra ka të bëjë me aritmetikën dhe janë koncepti i shumëfishave dhe i nënfishave (a: 1 x 7 x 100 = 700 dhe b: 700/100/7 = 1).
Ndërsa urtësia tjetër e këtij ajeti ka të bëjë me agronominë dhe atë që quhet me termin vëllazërimi i grurit. Mbillet një kokërr grurë, e cila maksimalisht jep shtatë kallinj dhe secili prej tyre jep maksimalisht nga njëqind kokrra dhe kjo ndodh pas një stine të mirë bujqësore dhe pasi grurit i janë bërë shërbimet më të mira prej fermerit. I gjithë ky proces i përshkruar, në agronomi njihet si vëllazërimi i grurit, ndërsa Allahu në Kuranin e Tij famëlartë e ka përshkruar me qindra vjet më përpara se ta bënte agronomia moderne me tekstet e saj.
“Zoti yt i dha instinkt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra, nëpër drunë dhe në ato (koshere) që njerëzit ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha frutat dhe futu nëpër rrugët që Zoti i ka lehtësuar për ty.” Nga barku i tyre del një lëng me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim (ilaç) për njerëzit. Me të vërtetë, në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (En-Nahl: 68-69)
Mrekullia e Allahut shihet edhe në këtë insekt të vogël dobiprurës, i cili përbën njërin prej argumenteve të shumta të plotfuqishmërisë së Zotit të Madhëruar. Ky insekt i pajisur me një shikim të mprehtë është prodhues i një prej ushqimeve të preferuara nga njerëzit, mjaltit dhe përveç kësaj, ai përdoret edhe si ilaç për shërimin e disa sëmundjeve, si p.sh., mykun që formohet në gojë prej përdorimit të tepërt të antibiotikëve nga të sëmurët. Vetë mjalti është një ushqim me përmbajtje kalorike të lartë dhe që asimilohet lehtë nga organizmi i njeriut. Aftësia e bletës në prodhim është e habitshme, sepse jeta e saj zgjat vetëm tre ditë dhe në errësirë të plotë ajo arrin të ndërtojë hojet e saj, ku depoziton larvat që pjell mbretëresha mëmë. I ushqen ato dhe arrin të mbajë një pastërti shembullore në zgjoin e vet. Vetë mbledhja e ushqimit në çdo lule, pra, kullotja është shumë e vështirë dhe e lodhshme për këtë insekt. Organizimi i zgjoit është i përkryer, ku secila prej tyre kryen detyrën e vet me rigorozitet dhe pa gabuar aspak. Ndërsa një nga prodhimet më të vyera të saj, që përdoret gjerësisht në mjekësi është qumështi i mbretëreshës. Ka fuqi të larta kalorifike, edhe më shumë se vetë mjalti dhe mund të përdoret tek ata që vuajnë prej impotencës, si dhe për ata që vuajnë nga anemia. Nuk merret drejt ashtu siç prodhohet, porse përzihet për shkak të fuqisë së madhe kalorifike që zotëron. Pra, kjo është ajo që Allahu i Madhëruar e cilëson në Kuranin e Tij: “Nga barku i tyre del një lëng me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim (ilaç) për njerëzit”.
“Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë”. (Dharijat, 47)
Fjala “qiell” e përdorur shumë herë në Kuranin famëlartë nuk ka vetëm kuptimin e qiellit, të cilin shohim ne, por njëkohësisht ka edhe kuptimin e hapësirës, kozmosit apo universit. Shumë kozmologë dhe astronomë dilnin në përfundimin se universi ka qenë ky që është dhe nuk ka ndryshuar, pra, është i pa fillim. Ndërsa nga ky ajet kuranor kuptohet që ai është në zgjerim “…Ne e zgjerojmë atë”. Dy shkencëtarë, rusi Aleksandër Fridman dhe belgu Zhorzh Lëmetër me anë të llogaritjeve të tyre teorike nxorën që universi është në lëvizje të vazhdueshme dhe zgjerohet. Edhe një herë tjetër është
Kurani famëlartë, që i paraprin shkencës me saktësinë e tij të habitshme, duke u bërë nxitje për ata që mendojnë dhe arsyetojnë.
“As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata ditën. Po secili noton në një orbitë të caktuar”. (Jasin, 40)
Tashmë astronomia moderne dhe kozmologët e kanë vërtetuar shkencërisht, që gjithsecili nga planetët e sistemit diellor kryen një rrugë të caktuar, si dhe format e lëvizjes së tyre sipas një eliptike të caktuar. Dhe për këtë u deshën breza të tërë shkencëtarësh, që të punonin e të harxhonin energji, kohë e përllogaritje nga më të ndryshmet e të vështirat për të ardhur në këtë përfundim, që Zoti i Gjithësisë me lehtësinë më të madhe ia ka furnizuar njerëzve nëpërmjet Kuranit famëlartë.
“Ai është i pari dhe i fundit. I dukshmi dhe i dadukshmi. Ai është i Gjithëdijshëm për çdo send” (El-Hadid, 3)(2)
“Ai është i pari që s’ka fillim dhe i fundit që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i dijshmi për çdo gjë”. (El Hadid, 3)(3)
“Ai është më i pari (s’ka asgjë para tij, Ai është i pa fillim), edhe më i fundit (s’ka asgjë pas Tij, Ai është i Pambarim), edhe më i Larti (s’ka asgjë mbi Të), edhe më i Afërti (nuk ka gjë më të afërt pranë gjërave se Ai, nuk asnjë pengesë ndërmjet Tij dhe krijesave të Tij). Dhe Ai është i Gjithëditur për çdo gjë”. (El Hadid, 3)(4)
Këto janë tri përkthime të ndryshme të të njëjtit ajet Kurani nga surja Hadid – Hekuri në shqip. Të tre përkthimet japin të njëjtin mesazh. Ndërsa i pari është telegrafik, i dyti është pak më i zgjeruar dhe tek i treti përkthyesit janë munduar ta zgjerojnë më tepër kuptimin e këtij ajeti për të qenë sa më të saktë. Porse qëllimi ynë është se mesazhi i këtij ajeti është pafundësia e Allahut të Madhëruar. Ai nuk ka lindur dhe as nuk vdes, as nuk lind kënd dhe as nuk është i lindur. Ky quhet koncepti i infinitit (pafundësisë) dhe në kohët moderne përdoret gjerësisht në matematikën dhe gjeometrinë analitike (minus infinit/plus infinit) në fizikë e astronomi, filozofi edhe në shumë fusha të tjera të jetës njerëzore.
“Dhe ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit)”. (Edh-Dharijat, 49)(5)
“Edhe nga çdo gjë, Ne kemi krijuar dy palë, që ju të mund të përkujtoni (Mirësinë e Allahut)”. (Edh-Dharijat, 49)(6)
“Dhe prej çdo sendi kemi krijuar nga një çift, ndoshta do të mendoni”.
(Edh-Dharijat, 49)(7)
“Qoftë lartësuar Ai i cili ka krijuar çifte nga e tërë ajo që mbin prej toke, edhe nga vetë ata, edhe nga ajo që nuk e dinë”. (Jasin, 36)(8)
Fjala “palë” ose “çift” që kanë përdorur përkthyesit në këto ajete përdoret edhe për ato që Allahu i Madhëruar i ka përmendur por edhe “…edhe nga ajo që nuk e dinë”. Po të shihet jo vetëm për njerëzit por edhe te kafshët edhe te lulet e pemët ekziston pala tjetër, pra, janë çift. Koncepti i dualitetit (i çiftit) është një koncept që përdoret edhe në fusha të tjera si filozofia, morali, shoqëria etj. Gjithashtu vërehet edhe në fizikë e kimi, materie – antimaterie, elektron – proton etj. Pra, ajetet kuranore nuk bëjnë gjë tjetër veçse e nxisin dijetarin të mendojë rreth universit dhe gjërave që e rrethojnë dhe ta studiojë të gjithë botën që e rrethon njeriun. Kurani famëlartë është ai libër që përveç rregullave fetare e shoqërore i nxit shkencëtarët ta studiojnë universin për të ardhur në përfundime sa më të sakta dhe kjo shihet nga saktësia e thënieve të këtyre pak ajeteve që kemi përmendur në këtë shkrim të shkurtër që Zoti i Madhëruar ia përcolli nëpërmjet Xhibrilit (engjëllit besnik – lajmëtar), të Dërguarit të Vet në këtë botë Muhamedit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të).
Si përfundim, shihet nga këto ajete që përmendëm dhe komentit të tyre se këto janë koncepte universale që i përcjell ky mesazh hyjnor. I gjithë ky libër përshkruhet nga fryma universale e thirrjes qoftë nga pikëpamja historike, legjislative, shkencore,metodologjike etj. Në çdo fjalë ndihet udhëzimi hyjnor, udhëzim, të cilin e ndjeu i pari, i Dërguari Muhamed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) dhe që ishte pjesa më e rëndësishme e misionit të tij pejgamberik.
“Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët (besimtarët).” (Nahl, 89).(9)

Përktheu: Eni Tahiri dhe Roald A. Hysa.

1. Gjithashtu ka edhe ajete të tjera që flasin për argumentet dhe faktet që i jep Allahu i Madhëruar njerëzve dhe ku Allahu ua tërheq vëmendjen njerëzve. Për më tepër shih: suret 2: 248; 3: 49; 11: 103; 15: 77; 16: 11; 26: 8, 67, 103, 158, 174, 190; 29: 44.
2. Marrë nga “Kur’ani dhe hija e Tij shqip”…, fq. 536.
3. Marrë nga “Kur’ani Përkthim me komentim në gjuhën shqipe”…, fq. 623.
4. Marrë nga “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”…, fq. 784.
5. Marrë nga “Kur’ani Përkthim me komentim në gjuhën shqipe”…, fq. 603.
6. Marrë nga “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”…, fq. 757.
7. Marrë nga “Kur’ani dhe hija e Tij shqip”…, fq. 521.
8. Po aty, fq. 441. Po ashtu shih edhe përkthimin e Sherif Ahmetit, fq. 507. Po ashtu përkthimi i Darussalam, fq. 637.
9. Marrë nga “Kur’ani Përkthim me komentim në gjuhën shqipe”…, fq. 321.

Nga: Gary Miller
Përkthyen: Eni Tahiri dhe Roald A. Hysa.
/islamgjakova