Ballina Artikuj Kur’ani të përgatit për njerëzit që do të takosh në jetë!

Kur’ani të përgatit për njerëzit që do të takosh në jetë!

Hoxhë Halil Avdulli

Historitë e personazheve të përmendur në Kur’an na paralajmërojnë se gjatë jetës do të përballemi me karaktere të ngjashme me ta. Kur’ani nuk na i tregon vetëm historitë e tyre, por na përgatit edhe për t’u përballur me ta!

▪️ Do të takohesh me Samiriun, kur të shohësh se e pavërteta rrethohet nga duartrokitjet dhe turma të tëra vrapojnë pas saj. Atëherë do të mësosh se numri i madh i pasuesve nuk është dëshmi se rruga është e drejtë.

▪️ Do të takohesh me vëllezërit e Jusufit, që të kuptosh se jo çdo i afërm është i denjë t’i besosh ëndrrat e tua dhe se ndonjëherë, edhe begatitë e tua mund të zgjojnë xhelozinë e njerëzve më të afërt.

Prandaj, jo çdo gjë e bukur që të dhuron jeta duhet t’ua tregosh të gjithëve.

▪️ Do të takohesh me Musain, kur të ndihesh i pafuqishëm përballë një detyre të madhe. Atëherë do të kuptosh se Allahu nuk kërkon prej teje të jesh gjithmonë më i afti, por të besosh tek Ai dhe të mbështetesh tek Ai.

▪️ Do të takohesh me Faraonin, kur të gjitha rrethanat dhe fuqitë të jenë kundër teje. Atëherë do të mësosh se besimi i palëkundur tek Allahu të jep forcë edhe kur të gjitha arsyet njerëzore duket se janë kundër teje.

Musai tha:

“Kurrsesi! Me mua është Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë.”

▪️ Do të takohesh me Belkizën, që të kuptosh se mençuria e vërtetë nuk qëndron te këmbëngulja në idetë e vjetra, por te gatishmëria për t’i braktisur ato kur e vërteta bëhet e qartë.

Mendjet e mëdha nuk janë ato që nuk gabojnë kurrë, por ato që kanë guximin të përulen para së vërtetës kur e njohin atë.

Belkiza tha:

“Zoti im, unë i kam bërë padrejtësi vetes dhe, bashkë me Sulejmanin, i nënshtrohem Allahut, Zotit të botëve.”

Në çdo histori do të takohesh edhe me vetveten.

Sepse këta personazhe nuk janë përmendur në Kur’an vetëm që historitë e tyre të rrëfehen, por që ne të nxjerrim mësime prej tyre.

Dhe, në një formë apo në një tjetër, do t’i takojmë përsëri në jetën tonë, çdo ditë, në rrethana të reja dhe në fytyra të ndryshme

Hoxhë Halil Avdulli