Kurti: S’kemi tërheqje të Policisë së Kosovës nga veriu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka tërheqje të Policisë së Kosovë në veri, derisa ka theksuar që ka vetëm 25 përqind zhvendosje të tyre nga ndërtesat komunale.

Gjatë seancës plenare sot në Kuvend, Kurti po fliste rreth marrëveshjes për shtensionimin e situatës në veri, teksa ka deklaruar që policia nuk dalin nga ndërtesat që të shkojnë në jug.

“Ne natyrisht asnjëherë nuk heqim dorë nga sundimi i ligjit dhe zbatimi i ligjit nga luftimi i krimit dhe korrupsionit e kontrabandës. Por, në të njëjtën kohë edhe kemi shfaqur ndjeshmërinë tonë për rëndësinë e paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë të sigurisë për të gjithë, e cila nënkupton të kemi ndjeshmëri që në këto dy javët e fundit s’ka pasur as protesta të dhunshme, incidente dhe gjithashtu as sulme në veri të Kosovës. Rrjedhimisht s’kemi tërheqje të Policisë së Kosovës, të gjithë policët që janë në veri të Kosovës janë në veri të Kosovës, por kemi 25 për qind zhvendosje të Policisë nga ndërtesat komunale, por gjithnjë brenda veriut të Kosovës. Nuk dalin policia nga ndërtesat që të vijnë në jug”, është shprehur Kurti.

Kujtojmë se rrahja masive që ndodhi sot mes ministrave e deputetëve të pushtetit me deputetët e PDK-së nisi teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim në seancën e Kuvendit për marrëveshjen për shtensionimin e situatës në veri.