Kurti takohet me ambasadoren e Luksemburgut, flasin për përforcimin e partneritetit me Kosovën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorën e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes, me të cilën ka biseduar për synimet për përforcimin e partneritetit mes Kosovës dhe Luksemburgut.

Në njoftimin për media thuhet se, Kurti ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë për përkrahjen e dhënë në vazhdimësi nga shteti i Luksemburgut, i cili ishte prej të parëve që përkrahu pavarësinë e shtetit tonë.

Ai vlerësoi partneritetin afatgjatë dhe shprehu vullnetin e Qeverisë për t’i forcuar më tej lidhjet dhe për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm.

“Në këtë takim, Kurti e njoftoi ambasadoren për të arriturat e vitit të parë të mandatit qeverisës, veçanërisht menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftim.

Ambasadorja Gomes ritheksoi përkushtimin e shtetit të Luksemburgut për bashkëpunim dhe përkrahje, në përmbushjen e synimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat strategjike të bashkëpunimit. /teve1