Kurti: Vetëm të lidhur rreth Lidhjes së Prizrenit, avancojmë interesat tona me aleatët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se data e 10 qershorit i kthen gjithmonë në Prizren për të kujtuar Lidhjen Shqiptare, e cila sot i ka mbushur 145 vjet.

Ai tha se që nga koha e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri më sot, duke ecur nëpër etapa të ndryshme të historisë, në vazhdimësi, shqiptarët janë kthyer dhe rikthyer me mendje dhe me trup kah Prizreni dhe kah lidhja për t’i përtrirë lidhjet mes vete dhe me të tjerët.

Në manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kurti deklaroi se 10 qershori është në regjistrin e datave të rëndësishme siç është 28 nëntori dhe 17 shkurti.

“Prandaj 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik shqiptarëve e i cili vazhdon edhe sot. Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe ne si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja e Prizrenit shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë po këtu…Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian. Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, evropian e amerikanë.”, tha ai, duke shtuar se për këtë lidhja “na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot.”.

Ndryshe, sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar