Kuvendi i Shqipërisë sot voton për President të ri

Ora 16:00 e ditës së djeshme përmbylli edhe afatin zyrtar të pranimit të kandidaturave për Presidentin e ri të Republikës. Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se nuk ka asnjë kandidaturë të regjistruar, duke shkuar dëm kështu raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit.

Nga ana tjetër sot në ora 09:00 mblidhet komisioni i ligjeve për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ndërsa pasdite në orën 17:00, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon raundin e parë të votimit, shkruan abc.

Socialistët i mbajnë ende diskrete emrat e propozuar në zarfe, ndërkohë që opozita është e përfshirë në dy grupe paralele negociatorësh të cilët do të kenë si qëllim nxjerrjen e një apo disa kandidaturave konsensuale që do të kërkonin edhe votat e shumicës.

Megjithatë, raundin e parë për Presidentin, socialistët dhe demokratët e konsumuan pa asnjë kandidat.

Kushtetuta ka parashikuar që tre raundet e para të zhvillohen me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit Presidenti i Republikës mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ku mazhoranca i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme Presidentin.

Taulant Balla deklaroi pas negociatave këtë fundjave se qëllimi i PS është të shkojë drejt një emri konsensual me opozitën, ndërkohë që aleatët e PD kërkojnë që ndryshe nga propozimi i Enkelejd Alibeajt, kreu i ri i shtetit të jetë një profil politik.

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin.