Ky eshte numri i terroristeve te shpartalluar nga Turqia

Shtatmadhoria e Ushtrisë Turke ka njoftuar se forcat turke në 24 orët e fundit kanë vazhduar me shkatërrimin e bastioneve terroriste. Në deklaratë thuhet se operacioni po rrjedhë sipas planit.

Forcat e Armatosura Turke (TSK) kanë neutralizuar në total 1.715 terroristë të YPG/PKK-DEASH që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit” në rajonin kufitar sirian Afrin, raporton Anadolu Agency (AA).

Operacioni në Afrin filloi më 20 janar, në përputhje me të drejtat e Turqisë në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato në lidhje me luftën kundër terrorizmit 1624 (2005), 2170 (2014) dhe 2178 (2014).

Turqia gjithashtu i referohet nenit 51 të marrëveshjes së OKB-së, ose “të drejtës për vetëmbrojtje”. Operacioni zhvillohet duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

– Pastrohen disa fshatra nga terroristët

Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) kanë pastruar nga terroristët fshatin Çarkanli në veri të Afrinit dhe fshatin Arpaviran në verilindje të tij.

TSK dhe ULS sot çliruan nga terroristët e YPG/PKK-DEASH-it fshatin Çarkanli pranë qytezës Bulbul në veri të Afrinit, fshatin Arpaviran pranë qytezës Sheran në verilindje të Afrinit dhe një vendbanim rural të quajtur Xhemilije.

Në kuadër të operacionit, që nga orët e mëngjesit e deri më tani janë çliruar edhe fshatrat Hayyam dhe Surain të qytezës Bulbul dhe fshati Zeytinak pranë qytezës Sheran.

Që nga fillimi i operacionit, TSK dhe ULS deri më tani kanë çliruar nga organizatat terroriste YPG/PKK-DEASH 84 pika, përfshirë një qendër qyteze, 57 fshatra, 5 vendbanime rurale dhe 20 male ose kodra strategjike dhe një bazë të YPG/PKK në pesë qyteza të Afrinit.

Më 20 janar, TSK nisi operacionin “Dega e Ullirit” në rajonin e Afrinit në veri të Sirisë për të larguar terroristët e YPG/PKK-DEASH-it.

Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.