Ky ishte qëllimi i rusëve dhe serbëve të arrestuar në Kosovë

Prezenca e shtetasve rus të kamufluar në Kosovë, sipas indikacioneve specifike, po rritet në krahasim me vite e më hershme, ka vlerësuar Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC. Sipas tij arsyet mund të jenë të ndryshme, por gjithsesi nuk beson se bëhet fjalë për punë të zakonshme dhe aktivitete ligjore.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se krizat e vazhdueshme në Kosovë, po ashtu, i hapin rrugë depërtimit të faktorit rus, duke rrezikuar kështu seriozisht Sigurinë Nacionale të Kosovës.

“Kur analizohen variablat kontekstuale, sigurisht se mund të vlerësohet se “hapja e derës” për agjenturat ruse për aktivitete kundër-Kosovës mund të shkaktohet edhe nga vazhdimi për vite të tëra i brishtësisë së shtetit të Kosovës, institucioneve jostabile, krizave politike shumë herë artificiale, mungesën e unitetit politik dhe kombëtar të elitës politike vendore në çështjet që kanë të bëjnë me Sigurinë Nacionale, mosintegrimit të plotë të komunitetit serb, mos-përmbylljes së problemeve me Serbinë, sikurse edhe mos-kompletimit të Arkitekturës së Sigurisë Nacionale të Kosovës”,ka thënë ai.

Ramadani ka shpjeguar se Rusia, përmes të ashtuquajturës Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish të Serbisë, ka rritur prezencës e vet në tërë rajonit dhe synimet madje janë shpeshherë edhe publike për të ndikuar në rajonin ballkanik.

“Ne si SPRC, në një analizë të situatës që kemi publikuar disa javë më parë, kemi konstatuar që roli i Rusisë në Ballkan është rritur dukshëm edhe përmes kësaj të ashtuquajture Qendre në Nish, por po ashtu edhe përmes Luftës Propagandistike për të portretizuar Kosovën në konteskt krejtësisht të pavërtetë. Kemi konstatuar po ashtu se objektivat ruse në raport me Kosovën kanë të bëjnë kryesisht me paraqitjen e Kosovës si vend të paqëndrueshëm, si shtet artificial dhe si një vend, siç ka thënë zyrtarisht qeveria ruse, “enklavë kriminale, strehë banditësh dhe terroristësh”. Prandaj, për t’i shërbyer këtyre konstatimeve të pavërteta, Rusia edhe mund të bëjë veprime të ngjashme sikurse besohet se ka bërë në Mal të Zi”, ka thënë Ramadani.

Në të vërtetë, në analizën e skenareve të mundshme, sipas Ramadanit nuk përjashtohet që Rusia, përmes agjenturave sekrete, të tentojë të nxis apo shkaktojë akte të dhunës, madje edhe duke targetuar individë të veçantë.

“Në një rast të tillë, mund të mendohet se Rusia synon të shkaktojë destabilitet brenda Kosovës dhe të nxis thellim të veprimeve të dhunshme”, ka thënë Ramadani.