Lampeduza, turistët shijojnë plazhet: Asnjë problem me refugjatët

Pushuesit në Itali po shijojnë lehtësimin e masave në plazhin e ishullit jugor të Lampeduzës, pavarësisht fluksit ditor të emigrantëve.

Emigrantët, shumica nga Afrika, kanë mbërritur përditë në ishullin sicilian dhe po transferohen vazhdimisht nga qendra e pritjes për të shmangur përqendrimin e tyre në një vend të vetëm.

Roberta Marchetti është pronare e një qendre zhytjeje në ishull. Ajo thotë se bizneset lokale kanë qenë të prekura nga fluksi i emigrantëve, por tani vizitorët i shohin ata gjithnjë e më pak.

“Gjatë pushimeve këtu nuk do t’i shihni emigrantët. Fatkeqësisht ideja për praninë e tyre ka prekur shumë biznese në ishull, por është vetëm një imagjinatë se Lampeduza është e mbushur me emigrantë dhe nuk ke ku të pushosh. Kjo nuk është e vërtetë”, tha ai.

Teksa sezoni veror ka filluar, turistët kanë shijuar kalimin e ditëve të nxehta në plazhet e famshme të ishullit, duke u freskuar në detin me ujëra të kristalta dhe duke qëndruar nën hijet e çadrave.

“Ishulli është i bukur, deti i mrekullueshëm. Jeta këtu është e qetë dhe po shijojmë ushqimin. Nuk kemi parë shumë emigrantë, për të cilët flitet dhe jemi të kënaqur. Do t’ia rekomandoja ishullin të gjithëve”, shtoi Nicola Guerra, turist nga San Marino.

Lampeduza është një nga pikat kryesore për emigrantët që duan të arrijnë Evropën. Që nga fillimi i vitit ka pasur një rritje të mbërritjeve, me 19 mijë e 360 persona, shumë më tepër se shifra prej 6 mijë e 185 e konstatuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /euronews