Lazio- përmbysje e “çmendur” ndaj Cagliarit për fitoren e 8-të radhazi

Janë 8 fitoret radhazi të Lazios në Serie A. Përmbysje e çmendur e skuadrës së Simone Inzaghit në Sardegna Arena, me Lazio që prishi ecurinë pozitive prej 13 ndeshjesh pa humbje të Cagliarit falë suksesit 1-2 në sfidën që mbylli javën e 16-të.
Një fitore e arritur në frymën e fundit. Golit të Simeones në minutën e 8-të iu kundërpërgjigjën, Luis Alberto dhe Felipe Caicedo i ardhur në fushë nga stoli me golat e tyre në minutat shtesë në të 93-ën dhe 98-ën.

Me këtë fitore Lazio u ngjit në kuotën e 36 pikëve dhe jo vetëm që blindoi vendin e 3-të, por tashmë mund të ëndërrojë edhe titullin pasi diferenca me Interin dhe Juven është vetëm 3 pikë. Tashmë bardhekaltrit shkojnë me moralin shumë të lartë edhe në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Juventusit, takim që do të zhvillohet të dielën në Arabinë Saudite.

Meritat në këtë fitore të bardhekaltërve shkojnë edhe për Thomas Strakoshën që në fundin e pjesës së parë bëri dy pritje fantastike duke mos lejuar Cagliarin të shënonte edhe golin e dytë.