Liberalizimi i vizave, më i vështirë vitin tjetër

Zyrtarët më të lartë qeveritarë dhe njohësit e integrimeve evropiane kanë vlerësuar se, nëse i përmbush kriteret e kërkuara, Kosova do ta ketë më lehtë që këtë vit ta marrë liberalizimin e vizave.

Ata kanë paralajmëruar se, nëse kjo çështje prolongohet sivjet, viti 2017 do të jetë më problematik që të arrihet ky synim, duke shtuar se BE-ja ka prirje që vitin e ardhshëm të merret më shumë me problemet e saj të brendshme.

“Një vendim për liberalizim të viza e shoh si mjaft të vështirë në situatën në të cilën jemi. Por kjo do të bëhet më e vështirë në vitin që vjen për shkak të krizës nëpër të cilën po kalon BE-ja. Siç ka thënë edhe presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, BE-ja është në një krizë ekzistenciale. Kjo e konfirmon atë se nëse liberalizimi prolongohet këtë vit, është e vështirë që vitin e ardhshëm ta kemi një vendim tjetër për këtë çështje”, ka thënë për “Epokën e re” njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani.

Ai ka shpjeguar edhe arsyet se pse BE-ja do të mund ta ketë më shumë fokusin në çështjet e brendshme.

“Zgjedhjet e brendshme në disa prej vendeve të BE-së, si dhe referendumet e paralajmëruara në disa prej këtyre shteteve që kanë të bëjnë me refugjatë dhe çështje të tjera, janë probleme të brendshme me të cilat BE-ja do të mundohet të merret dhe t’i trajtojë ato në mënyrën më të mirë të mundshme. Pavarësisht se si do të jetë epilogu i këtyre çështjeve, mendoj se fokusi do të vazhdojë të mbetet në këto çështje të brendshme të vendeve të BE-së, për të vetmen arsye që të shmanget mundësia e përsëritjes së rezultateve si ai i Brex-it”, është shprehur ai.

Megjithatë, Ujkani ka deklaruar se nëse përmbushen kushtet e kërkuara, ende ka kohë që BE-ja ta marrë një vendim pozitiv për Kosovën këtë vit.

“Nëse përmbushen kriteret e kërkuara, objektivisht është e arritshme që Këshilli i BE-së të votojë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës këtë vit”, është shprehur Ujkani.

Por, ndryshe mendon njohësi tjetër i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku.

Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se zgjedhjet në disa vende të BE-së nuk do të jenë problem për liberalizimin e vizave për Kosovën, sa do të jetë mosnjohja nga pesë vende anëtare të BE-së.

“Zgjedhjet nëpër vendet anëtare të BE-së nuk e afektojnë agjendën e Bashkimit Evropian. Problemi kryesor që e afekton agjendën e BE-së për Kosovën është mungesa e njohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së. Përderisa këto pesë njohje mungojnë, nuk mund të pretendojmë se ka një agjendë normale të BE-së për Kosovën. Sepse asnjë vendim politik për politikën e zgjerimit dhe politikën e jashtme nuk merret jashtë sistemit të konsensusit brenda këtyre 28 shteteve. Prandaj, interes i Kosovës është njohja nga këto pesë shtete sesa zgjedhjet që do të mbahen brenda anëtareve të BE-së”, ka thënë Mazrreku.

Sipas tij, liberalizimi i vizave dhe çdo hap i Kosovës drejt BE-së varet nga veprim i pesë anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Çështja e liberalizmit të vizave esencialisht lidhet me mungesën e pesë njohjeve, sepse mungesa e njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së e bën të pamundur marrjen e një vendimi politik për Kosovën. Në këtë rast është i paparashikueshëm edhe vendimi në Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Të njëjtin problem do ta kemi edhe në çështjet e tjera që kanë të bëjnë me Kosovën përderisa mungojnë këto njohje”, është shprehur ai.

Prandaj, Mazrreku i ka ftuar krerët qeveritarë të merren me këtë problem real në raport me BE-në.

“Asnjë zyrtar institucional i BE-së nuk mund të premtojë se cili do të jetë vendimi definitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, sepse kjo varet nga shtetet anëtare të BE-së. Pra, asnjë zyrtar i BE-së nuk mund të garantojë se si do të votojnë Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania, apo Sllovakia për këtë çështje në Këshillin e BE-së”, ka thënë Mazrreku.

Edhe kryeministri Isa Mustafa, në një intervistë televizive, ka vlerësuar se Kosova duhet që sa më shpejt ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë që këtë vit institucionet e BE-së ta marrin vendimin pozitiv për viza.

Sipas tij, zgjedhjet në Gjermani dhe Francë që do të mbahen në vitin 2017 do të bëjnë që liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë çështje e dorës së dytë apo të tretë.