Gjatë tre ditëve të fundit forcat detare të Libisë kanë shpëtuar nga mbytja 199 emigrantë të parregullt, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate me shkrim të Forcave Detare të lidhura me Qeverinë e Pajtimit Kombëtar në Libi, forcat detare të mërkurën, të enjten dhe të premten kanë shpëtuar nga përmbytja 5 anije ku ndodheshin 199 emigrantë të parregullt.
Operacioniet e shpëtimit janë ndërmarrë në brigjet verilindore dhe veriperëndimore të kryeqytetit Tripoli.
Ndërkohë transmetohet se emigrantët janë me origjinë nga Sudani, Sudani i Jugut, Senegali, Somalia, Egjipti, Eritrea, Etiopia dhe Bangladeshi.
Pas ndihmës humanitare dhe mjekësore të nevojshme, emigrantët e shpëtuar më pas janë dërguar në njësinë për Luftimin e Migracionit të Paligjshëm të lidhur me Ministrinë e Brendshme.
Libia, e cila po përjeton një boshllëk administrativ pas revolucionit, qëndron si një nga rrugët e emigrantëve afrikanë që duan të arrijnë në Evropë nëpërmjet Mesdheut për shkak të pozitës së saj të afërt gjeografike.
Një pjesë e afrikanëve që përpiqen të kalojnë shkretëtirën e Saharasë dhe Mesdheun nëpërmjet Libisë për të shkuar në Evropë bien në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore ndërsa disa të tjerë humbin jetën në shkretëtirë ose në det.






