Siguria e Evropës dhe Ukraina do të jenë në fokus të diskutimeve në Samitin e Komunitetit Evropian, i cili mbahet të premten në Tiranë. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Derisa në një dokument të publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova figuron me fusnotë duke mos ia paragjykuar statusin, por në atë të Komunitetit, Kosovës nuk i është vendosur asterisku
Liderët evropianë mblidhen në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik
Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do t’i mbledhë sot në Tiranë udhëheqësit nga i gjithë kontinenti i vjetër, për të diskutuar në temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten ka ndarë një video të vendit ku do të mbahet samiti.
“Mirëmëngjesi dhe Shtëpinë e Evropës, krijuar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, ku sot ka zbritur e gjithë Evropa e ku do të mbajë sytë e gjithë bota, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Në Tiranë mbrëmjen e së enjtes ka mbërritur edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ndërkohë po të enjten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka publikuar një fotografi nga Tirana përkrah liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Në foto shihet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e krerë të tjerë të rajonit, si dhe krerët e Bashkimit Evropian.
Themelimi i këtij Komuniteti ndodhi pas propozimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë.
Qëllimi i Komunitetit Politik Evropian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin midis udhëheqësve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, me qëllim forcimin e sigurisë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Kjo platformë nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë apo proces ekzistues, por është më tepër një forum në të cilin shtetet evropiane mund të gjejnë hapësirë të mëtejshme për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente në kontinent.
Komuniteti mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, teksa kryesuesi i tij ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk janë anëtare në BE.
Deri tash janë mbajtur pesë takime të Komunitetit Politik Evropian.