Lista Serbe e pavendosur për zgjedhjet, konsultohet me Vuçiqin

Lista Serbe do të pres vendimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të marrë apo jo pjesë në zgjedhjet e 19 majit në komunat veriore.

Pavarësisht se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore që të mbahen më 19 maj të këtij viti, Lista Serbe po e pret vendimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nëse do të marrin pjesë në këto zgjedhje apo jo.

Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, për televizionin publik serb, transmeton lajmi.net.

“Kështu që këtë herë do të kemi konsultime me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe do të marrim një vendim që do të jetë në interes të popullit serb që jeton në Kosovë”, ka deklaruar Simiq.

Sipas tij, vendimi që ka marrë presidenti Thaçi për zgjedhjet në komunat veriore është bërë në konsultim me përfaqësuesit e partive politike, por siç tha ai, Lista Serbe, nuk është kontaktuar nga asnjë autoritet i Kosovës për këto zgjedhje.

“Përgjigjja e shqiptarëve ndaj unitetit të serbëve në Kosovë është një përpjekje për të gjetur ata me interes personal para atij kombëtar dhe me të cilët është shumë më e lehtë për të folur”, theksoi Simiq.

Sipas tij, vendimi i Thaçiq për të shpallur zgjedhjet është një provokim i radhës.

Ai thotë se Lista Serbe ka më shumë se 90 për qind të mbështetjes së popullit serb në Kosovë dhe për këtë arsye ka përgjegjësi të madhe në marrjen e vendimeve.

“Fakti është se, si gjithmonë, do të udhëhiqemi nga interesat e njerëzve të zakonshëm, qytetarëve që jetojnë këtu. Por, duhet të theksoj se në këtë situatë, kur kemi trazira të ndryshme politike, përgjegjësia qëndron jo vetëm me serbët që jetoj këtu, por në të gjithë popullin serb”, tha Simiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat veriore. Sipas KQZ-së, fFushata parazgjedhore fillon më 13 maj dhe mbaron më 17.

Ndërkaq, regjistrimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon sot dhe mbaron më 18 prill.

Ndryshe në nëntor të vitit të kaluar pas vendosjes së taksës për mallrat serbe, kryetari i Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, kishin dhënë dorëheqje në shenjë revolte.

Mirëpo, pavarësisht këtij vendimi, këta kryetarë vazhdojnë të marrin pagë nga buxheti i Kosovës.