Lojërat Olimpike të Pekinit: SHBA tërheq deklaratën e bojkotit

Uashingtoni thotë, se është në bisedime me aleatët rreth mënyrës së pjesëmarrjës në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin. Grupet e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës të SHBA kanë kërkuar bojkot.

Ndërkohë që administrata e presidentit Joe Biden këshillohet me aleatët për një reagim të përbashkët ndaj Kinës dhe veprimeve të saj për të drejtat e njeriut, Departamenti i Shtetit tha të martën (06.04) se bojkotimi i Olimpiadës së Pekinit 2022 nuk ishte ende pjesë e bisedimeve.

Konfuzioni mbi qëndrimin e Uashingtonit nisi pasi zëdhënësi i departamentit Ned Price tha më parë, se bojkoti ishte “diçka që ne sigurisht dëshirojmë ta diskutojmë”. Departamenti i Shtetit dhe Price më vonë sqaruan deklaratën. “Pozicioni ynë mbi Olimpiadën 2022 nuk ka ndryshuar. Ne nuk kemi diskutuar dhe nuk po diskutojmë ndonjë bojkot të përbashkët me aleatët dhe partnerët,” tha një zyrtar i lartë.

Price shkroi në Twitter: “Ne nuk kemi ndonjë njoftim në lidhje me Lojërat Olimpike të Pekinit”.

Kjo vjen në mes të apeleve në rritje që SHBA të tërhiqen nga ngjarja për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë.

Debati mbi bojkotin

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës republikanë në SHBA kanë bërë gjithnjë e më shumë thirrje për bojkot të lojërave, duke përmendur raportet nga grupet e të drejtave mbi burgosjen masive dhe trajtimin e pakicës myslimane ujgur në rajonin e Xinjiang.

Uashingtoni më parë kishte përshkruar shkeljet e të drejtave nga qeveria kineze si “gjenocid”, të cilin Pekini e refuzon kategorikisht.

Si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ashtu edhe Komiteti Olimpik dhe Para Olimpik i SHBA-së (USOPC) kundërshtojnë bojkotimin.

Në mars, presidenti i IOC Thomas Bach tha, se historia tregon se bojkotet “kurrë nuk kanë pasur efekt”.

Presidentja e USOPC Susanne Lyons argumentoi, se ndërsa ka një “kërkesë të qëndrueshme” të mbështetjes për një bojkot, kjo do të dëmtonte atletët që janë stërvitur për garë. “Ne kurrë nuk do të dëshironim të minimizonim atë që po ndodh nga perspektiva e të drejtave të njeriut në Kinë, por ne nuk mbështesim një bojkot të atletëve”, tha Lyons.

Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA kryesoi bojkotin e Lojërave Olimpike Verore 1980 në Moskë për të protestuar ndaj pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik në fund të vitit 1979.

Si reagim, disa vende – përfshirë Bashkimin Sovjetik, Gjermaninë Lindore dhe Kubën – u hakmorën duke qendruar larg Lojërave Verore 1984 në Los Anxhelos, duke përmendur shqetësime mbi sigurinë e atletëve të tyre.

Abuzimi me të drejtat e njeriut në Kinë

Kina është vënë nën presion për shkak të qëndrimit të saj ndaj Tajvanit, presionit ndaj Hong Kongut dhe veçanërisht trajtimit të myslimanëve ujgurë.

Më shumë se 1 milion anëtarë të pakicës ujgure dhe pakicave të tjera etnike myslimane janë ndaluar në qendrat e riedukimit të ngjashme me burgun, sikurse venë në dukje disa studiues, gazetarë dhe qeveri të huaja.

Të tjerët detyrohen të punojnë në fabrika dhe fusha pambuku. Kina i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se po siguron trajnim profesional për pakicat për të luftuar ekstremizmin islamik. /dw