Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lutjet e rralla të Kishës Ruse këto kohë…

Lutjet e rralla të Kishës Ruse këto kohë…

Klerikët ortodoksë me sytë nga qielli, andej nga vijnë dronët ukrainas

Në qytetin e Permit në Rusi, priftërinjtë e Kishës Ortodokse Ruse kanë organizuar së fundmi një procesion fetar dhe shërbime lutjeje me ikonën e Nënës së Zotit të Permit, me qëllim sipas tyre mbrojtjen e qytetit nga sulmet me dronë ukrainas.

Pas raportimeve për disa incidente me dronë në zonë, dioqeza lokale vendosi të reagojë në mënyrën që njeh më mirë: jo me sisteme kundërajrore më të avancuara, botërore apo ushtarake, por me ikonë, lutje dhe një itinerar të mirëplanifikuar nëpër qytet.

Kështu, më 12 maj, priftërinj të ndryshëm u shfaqën në pika të ndryshme të Permit, duke ndaluar në vende simbolike si kapela në varrezat Bannaya Gora, hidrocentrali lokal dhe kryqi në hyrje të lagjes Kirovsky, ku zhvilluan lutje për “mbrojtjen e qytetit”.

Sipas përfaqësuesve të Kishës, kjo ikonë konsiderohet e lidhur ngushtë me rajonin dhe nderimi i saj është “ringjallur” së fundmi. Ata e justifikojnë procesionin si pjesë të një tradite të vjetër ortodokse, ku reliket dhe ikonat përdoren në kohë krizash të mëdha – nga epidemitë deri te konfliktet dhe “pushtimet e huaja”.

Në deklaratat e tyre zyrtare, përfaqësuesit e dioqezës theksojnë se historia njeh raste të shumta ku lutjet dhe procesionet kanë sjellë “mëshirë hyjnore” dhe mbrojtje ndaj fatkeqësive. Megjithatë, në kontekstin modern të luftës dhe përdorimit të dronëve ushtarakë, ky ritual tingëllon për shumë njerëz më shumë si një simbolikë e dëshpëruar sesa një strategji reale mbrojtjeje.

Në vend që të sillen rrotull me ikona nëpër rrugë, këta klerikë do të bënin shumë më mirë të luteshin për largimin e Vladimir Putinit nga pushteti – apo qoftë edhe nga kjo botë. Është pikërisht ai shkaktari i vetëm dhe i pamëshirshëm i kësaj lufte shkatërrimtare.

Sulmet e fundit ukrainase me dronë nuk janë asgjë tjetër veçse një kundërpërgjigje e ligjshme dhe e detyruar ndaj agresionit brutal rus, i cili ka shkaktuar masakra dhe vuajtje të panumërta mbi popullsinë civile në Ukrainë.

Kisha Ortodokse Ruse ka qenë historikisht dhe mbetet edhe sot një mbrojtëse besnike, madje një vegël propagandistike e regjimit të Kremlinit, dhe jo një institucion që mbron jetën e njeriut, qoftë ai rus apo ukrainas.

Në vend që të dënojë agresorin dhe të rreshtohet në anën e paqes dhe të shenjtërisë së jetës, ky kler ka zgjedhur të bekojë armët e sulmit dhe të shpërlajë mëkatet e një diktatori.

Për sa kohë që Kisha ruse zgjedh të mbrojë interesat politike të Putinit dhe jo parimet e humanizmit, “mburojat” e tyre shpirtërore mbeten thjesht një shfaqje hipokrite përballë një tragjedie që ka autor vetë udhëheqësin e tyre në Kremlin. \tesheshi