Presidenti francez Emmanuel Macron e ftoi presidentin e Palestinës Mahmoud Abbas në Paris për konsultime, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, Macron deklaroi se ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e tij palestinez, Abbas.
Ai tha se ka shprehur vendosmërinë e tij për të punuar për paqen në Lindjen e Mesme.
“Rinisja e negociatave për të arritur një zgjidhje të drejtë duke respektuar ligjin ndërkombëtar mbetet përparësi”, deklaroi Macron.
Nga ana tjetër, siç raportoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, Abbas i ka thënë homologut francez se “as Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) e as ndonjë vend tjetër nuk ka të drejtë të flasë në emër të popullit palestinez”.
“Në qoftë se edhe ndonjë vend tjetër bën hap të ngjashëm, ne do të shfaqim qëndrimin e njëjtë sikurse ndaj EBA-së”, ka thënë Abbas, duke iu referuar marrëveshjes së normalizimit midis Izrelit dhe EBA-së.
“Ne nuk do të pranojmë që çështja palestineze të përdoret si pretekst normalizimi ose për ndonjë arsye tjetër”, ka shtuar presidenti i Palestinës.
Macron e ka ftuar presidentin palestinez në Paris për konsultime në lidhje me çështjen palestineze dhe ftesa është pranuar, ndërsa data e vizitës do të caktohet së shpejti, thuhet më tej.
Ndryshe, më 13 gusht, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi arritjen e një marrëveshjeje normalizimi midis EBA-së dhe Izraelit.
Siç ishte njoftuar, zyrtarët e dy vendeve pritet që në javët në vijim të takohen dhe nënshrkuajnë marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme.
EBA u bë vendi i tretë që firmosi marrëveshje normalizimi me Izraelin pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë në vitin 1994.