/ Stevo Pendarovski është kandidati i përbashkët presidencial, i përkrahur nga rreth 30 parti të udhëhequra nga koalicioni qeveritar. Kandidati mbipartiak Pendarovski përkrahjen e ka fituar mbrëmë në takimin me partitë e koalicionit qeveritar dhe të gjitha forcave që përkrahin idenë e një kandidati të përbashkët për president të shtetit.
Vendimi që të jetë përfundimtar duhet të verifikohet nga organet vendimarrëse në çdo parti, ndërsa LSDM-ja këtë pritet ta bëjë në kongresin partiak të caktuar për nesër në Shkup.
Kryeministri Zoran Zaev pas takimit tha se ky është vendim historik për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se “sonte 31 parti politike u bashkuan dhe treguan se interesat kombëtare janë mbi ato partiake”.
Ndërkaq, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se “sipas sondazheve, Pendarovski është kandidati që gëzon mbështetjen e elektoratit shqiptar”.
Raundi i parë i zgjedhjeve për zgjedhjen e presidentit të gjashtë u caktuan për 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj. / ATSH-MIA/







