Mbahet mbledhja e qeverisë, ja vendimet që u morën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar:

– Vendimin për rialokimin e mjeteve në shumë prej 577,900.00 € në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e programit “Masat preventive, intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme”.

– Vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme ish-shoqërore P. Sh IGK “Ballkan”, Njësia Damper, (ish-kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Komunën e Suharekës.

– Vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve infrastrukturore për interes publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin-Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës.

– Vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”.

– Vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “KOMPAS – Qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë”.