Mbërrijnë në Britani me gomone 44 emigrantët e parë për 2023-in

Sapo ka nisur viti i ri 2023, në Britani kanë shkuar edhe emigrantët e parë më gomone. BBC raporton se të martën kanë mbërritur në bregdetin britanik 44 emigrantë, të cilët u kapën nga Forcat Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar dhe u dërguan në Dover.

Autoritetet franceze thonë se dy varka të tjera me 80 emigrantë u futën në vështirësi në Kanal të hënën dhe u kthyen në Calais, në Francë.

Vitin e kaluar, një rekord prej 45,756 persona ia dolën të bënin këtë udhëtim. Kjo shënon një rritje prej rreth 60% krahasuar me një vit më parë.

Qeveria ka njoftuar një sërë masash në 12 muajt e fundit për të trajtuar çështjen e emigrantëve me varka të vogla që bëjnë udhëtimin e rrezikshëm përgjatë Kanalit Anglez.

BBC shkruan se deri në shtator 2022 më shumë se 15,000 azilkërkues ishin shqiptarë. Ndërkohë qeveria britanik ka njoftuar gjithashtu se është arritur një marrëveshje e re me Shqipërinë për të vendosur më shumë staf të Forcave Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë dhe për të ndjekur shpejt kthimin e azilkërkuesve në Shqipëri.