“Mbështetja e SHBA-ve për PYD-në do të ndikojë shumë keq tek kurdët”

Presidenti i Këshillit Kombëtar Kurd të Sirisë (ENKS), Ibrahim Biro, duke theksuar se mbështetja e SHBA-ve për organizatën terroriste PKK/PYD nuk është në interes të kurdëve në Siri, tha se “Kjo mbështetje e SHBA-ve për PYD-në do të ndikojë shumë keq tek kurdët”.

Biro i cili është pjesë e delegacionit të Komitetit të Lartë të Negociatave të opozitarëve në bisedimet për Sirinë të cilat zhvillohen nën vëzhgimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) në qytetin Gjenevë të Zvicrës, duke folur për Anadolu Agency (AA), tha se opozitarët ndodhen në Gjenevë me një delegacion gjithëpërfshirës dhe të bashkuar, për raundin e 8-të të bisedimeve.

“Komuniteti ndërkombëtar jep një mbështetje të madhe për këtë formësim të ri. Është bërë edhe më e rëndësishme se çfarë do të bëjë regjimi për të arritur një zgjidhje paqësore në Siri dhe sa presion do të ushtrojë Rusia ndaj regjimit që të bashkëpunojë”, është shprehur Biro.

“PYD-në nuk e pranojmë brenda Komitetit të Lartë Negociator”

Duke vënë theksin se brenda Komitetit të Lartë Negociator ndodhen të gjithë elementët opozitarë në Siri, Biro tha se “arabët, kurdët, turkmenët dhe asirianët ndodhen nën çatinë e Komitetit të Lartë Negociator. Por PYD nuk është, sepse asnjë element opozitar nuk e pranon PYD-në brenda Komitetit të Lartë Negociator.”

Biro ka reaguar ndaj organizatës terroriste PKK/PYD e cila përdor emrin FSD (forcat demokratike të Sirisë), duke u shprehur se “PYD-ja ka mbyllur të gjitha partitë politike në veri të Sirisë të cilat nuk e mbështesin. Gjithashtu ata kanë ndaluar dhe kanë arrestuat shumë anëtarë të disa partive kryesisht të Këshillit Kombëtar Kurd të Sirisë (ENKS). Aktualisht dhjetëra anëtarë të ENKS mbahen nën arrestim nga PYD-ja.”

“Një organizatë si PYD-ja nuk duhet të marrë kurrë kontrollin”

Pasi ka bërë të ditur se ata vetë luftojnë kundër të gjithë organizatave terroriste me në krye DEASH-in, Biro tha se “Mbështetja e SHBA-së për elementët e PYD-së në rajonet ku jetojnë arabët nuk është një gjë e mirë për kurdët dhe kjo mbështetje do të ndikojë shumë keq tek kurdët. Sepse vendet ku këta luftojnë nuk janë rajone kurde. Një organizatë si PYD-ja nuk duhet të marrë kurrë kontrollin”.

Organizata terroriste PKK/PYD në fillim të muajit shpërtheu me lëndë eksplozive pasi rrethoi ndërtesën ku do të zhvillohej kongresi i zakonshëm i ENKS i cili është formuar nga grupet kurde opozitare. Gjithashtu ishte bërë e ditur se PKK/PYD-ja kishte arrestuar disa nga anëtarët e ENKS. Edhe më parë organizata terroriste PKK/PYD ka mbyllur shumë zyra të ENKS dhe të partive politike kurde opozitare të cilat operojnë nën çatinë e këtij këshilli.

PKK/PYD në veri të Sirisë përgjatë kufirit të Turqisë ka pushtuar qytetet Haseke dhe Rakka në lindje, si dhe rajonet Munbixh në lindje të Halepit dhe rajonin Afrin në veriperëndim. Në ditën e tretë të negociatave për Sirianë në raundin e 8-të në Gjenevë, palët vazhdojnë bisedimet dypalëshe me delegacionin e OKB-së. Përfaqësuesi Special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, gjithashtu ka deklaruar se bisedimet mund të zgjaten deri në javën e ardhshme.