Mbi 124 mijë emigrantë kaluan përmes Serbisë gjatë vitit 2022

Serbia vitin e kaluar ka regjistruar mbi 120 mijë emigrantë në qendrat e azilit në mbarë vendin, transmeton Anadolu.

Sipas shifrave të fundit, gjithsej 124.127 emigrantë kaluan nëpër qendrat e udhëhequra nga Komisariati i Refugjatëve dhe Migracionit i Serbisë.

“Atyre u sigurohet ushqim, kujdes shëndetësor, veshje, këpucë, produkte higjienike, aktivitete profesionale dhe edukative, ndihmë për integrimin e fëmijëve në sistemin e rregullt arsimor, internet, mbështetje psikologjike, si dhe qasje në të drejta dhe shërbime të tjera”, tha komisariati.

Që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt, mbi 148 mijë shtetas ukrainasë kanë kaluar nëpër Serbi, ndërsa 26 prej tyre kanë regjistruar vendbanimin e tyre.

Aktualisht janë 4.500 shtetas ukrainasë që ndodhen në akomodime private dhe për to përkujdeset komisariati në Serbi.

Gjithsej 1.231 ukrainasve i u është dhënë statusi i mbrojtjes së përkohshme.

Nga ana tjetër, siç tregojnë të dhënat, shumica e emigrantëve janë nga Afganistani, Siria, Pakistani, Maroku dhe India.

Serbia ndodhet në rrugën e Ballkanit Perëndimor që shpesh përdoret nga emigrantët për të arritur në Evropë.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë theksuar se kanë dhe do të kenë një qëndrim humanitar ndaj refugjatëve, por se vendi nuk dëshiron të merret me një fluks refugjatësh.