Mbingarkohet Klinika Infektive: 93 të shtrirë e 5 të prekur me koronavirus në gjendje kritike

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, janë të shtrirë 93 pacientë të prekur me koronavirus.

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 97 pacientë, ku 93 prej tyre janë të prekur me koronavirus.

Sipas njoftimit, 41 persona të prekur me COVID-19 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe përkujdesje intensive, kurse 5 persona janë në gjendje kritike dhe janë duke u trajtuar në mjekimin intensiv të kësaj klinike.

Po ashtu, QKUK-ja ka bërë të ditur se mbrëmë ka ndërruar jetë edhe një 70-vjeçar, kështu duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi në 37.

Njoftimi i plotë i QKUK-së, pa ndërhyrje:

Në klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sipas raportit të datës 22.06.2020, janë të hospitalizuar 97raste.

Prej tyre të sëmurë me Covid -19 janë gjithsej 93 raste.

Sot, lirohet 1 rast i shëruar nga infeksioni me Covid- 19 dhe poashtu, lirohet 1 rast pozitiv në gjendje stabile për vetizolim në shtëpi.

41 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Ne repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste në gjendje kritike.

Mbrëmë në Repartin e Mjekimit Intensiv të klinikës ka ndërruar jetë pacienti 70 vjeçar nga komuna e Vushtrrisë, i pranuar me 13.06.2020, i cili përveç infeksionit me Covid -19 kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.