“Mbyllet” Komisioni për Demarkacion

Komisioni për Integrime Evropiane ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi që me 6 nëntor të raportojë para tyre për të gjeturat që kanë arritur të sigurojnë nga hulumtimi i tyre disa javor në terren dhe dokumentacione.

Indeksonline ka tentuar të kontaktoi me kryetarin e këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, dhe anëtarin tjetër Florim Isufi që të mësojë nëse janë të përgatitur mjaftueshëm me fakte para prezantimit që ju është kërkuar ta bëjnë, por që të dy kanë qenë të paqasshëm në telefonatat e tyre.

Burime të Indeksonline mësojnë se ky komision me në krye Shpejtim Bulliqin kanë vendosur që të mos deklarohen më për medie në asnjë mënyrë rreth të gjeturave të tyre deri në ditën që ata të dalin para Komisionit për Integrime Evropiane e më pastaj edhe para Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Ditë më parë anëtarët e këtij komisioni kishin thënë për Indeksonline se kanë gjetur material të mjaftueshëm për vijën kufitare por që ende nuk e kishin bërë krahasimin me të gjeturat e komisionit të kaluar.

Kujtojmë se Bulliqi u emërua në krye të këtij komisioni në ditën e parë pas marrjes së pozitës si kryeministër nga Haradinaj, pasi shkarkoi Murat Mehën, i cili udhëhiqte këtë komison.