Me Zotin para

Ferid Piku

Vëllezër dhe motra, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju kudo që të jeni.

Nga shprehjet e bukura që populli ynë ka përcjellë brez pas brezi, shprehje të cilën e thonë njerëzit çdo ditë, në çdo hall, në çdo problem, është fjala me Zotin para. E thotë i sëmuri i cili shpreson të bëhet më mirë, me Zotin para do përmirësohem, e thotë ai që është në vështirësi për të nesërmen që e pret, më të mirë sesa të sotmen, thotë me Zotin para edhe kjo punë do të bëhet më mirë. E thotë i varfëri i cili shpreson për një ditë më të mirë, thotë me Zotin para do të lehtësohen edhe hallet e mija. Të gjithë e themi ketë fjalë, por ndoshta nuk ja dimë siç duhet kuptimin. Unë te kjo fjalë shikoj dhe kuptoj një mesazh të madh, mesazhi i besimit tek Zoti. Ai njeri që thotë fjalën me Zotin para dhe e përjeton ketë fjalë, ka besim tek Zoti i Gjithësisë se do të lehtësohen hallet, do të vijnë ditë më të mira, të gjitha vështirësitë do të mbarojnë një ditë e do të vijë ajo që shpresojmë e për të cilën lutemi. Te kjo fjalë unë shikoj lutje, lutje tek Zoti i Gjithësisë. Me Zotin para do të lehtësohen vështirësitë, me Zotin para do të bëhet më mirë. Por ndoshta mesazhi më i madh që unë shikoj tek slogani dhe tek fjala me Zotin para është shpresa, shpresa e madhe që kemi tek Zoti i Gjithësisë, tek Krijuesi i gjithçkaje, tek Ai që ka në dorën e Tij jetën tonë, fatin tonë, tek Ai që di hallet tona, vështirësitë tona, kur e themi fjalën me Zotin para, ne kemi shumë shpresë që do të mbarojnë hallet dhe problemet tona, e nesërmja e jonë ka për të qenë më e mirë se e sotmja jonë. Shpresa, kjo fjalë kaq e madhe, ky kapital kaq i madh, ky motiv kaq i madh që na bënë të jetojmë, na bënë të rezistojmë, të shikojmë gjithmonë përpara, është ndoshta prej mirësive më të mëdha që Zoti ja jep krijesës së Tij, njeriut. Po mos të ishte shpresa, ndoshta prindi s’do te bënte fëmijë, ndoshta tregtari s’do të merrte udhëtimet për tregtinë e tij, ndoshta njerëzit s’do të ndërtonin shtëpi mbi shpinën e kësaj toke, ndoshta studenti s’do të merrte gjithë atë kalvar studimesh, provimesh, hallesh dhe problemesh, po mos të ishte shpresa ndoshta një pjese e madhe e shpikjeve, zbulimeve të cilat i kemi sot përpara syve nuk do të ishin, por ishte shpresa, kjo krijese kaq e bukur e Zotit ajo që e shtyu njeriun të bëjë të pamundurën, të shikojë gjithmonë për të nesërmen, të shikoj që mes vështirësive vjen lehtësimi. Unë shpresën e shikoj si punën e asaj dritës që është në fundin e tunelit, ajo shpresë ajo dritë na nxitë që të ecim përpara. Unë shpresën e shikoj si drita e qiriut në errësirën e dhomës, po mos të ishte ajo dritë e vogël ndoshta jeta do te ishte e pamundur. Unë shpresën e shikoj si puna e ati filizit i cili mbinë në mes të shkëmbit për të na treguar të gjithëve se aty ku s’ta merr mendja edhe aty ka shpresë. Mos i këput shpresat tek Zoti i Gjithësisë. Unë shpresën e shikoj si lindja e fëmijës i cili vjen mes dhimbjeve, mes shumë sakrificave. Unë shpresën e shikoj si oazë në mes të shkretëtirës, kur të duket se rreziqet të kanë rrethuar në të katër anët, të sjell Zoti një oazë shprese, një oazë motivi për të vazhduar rrugëtimin tënd për tek Zoti i Gjithësisë. Shkurt vëllezër dhe motra, shpresa është motivi për te jetuar, është motivi për të parë gjithmonë përpara. Me Zotin para duhet të ketë shumë shpresë tek Zoti, e besimtari duhet të ketë edhe me tepër shpresë tek Zoti. Shpresoj që kur ta themi këtë fjalë, ta përjetojmë me shpirte e me zemër. Me Zotin para gjithmonë do te këtë shpresë dhe nuk ka gjë e cila është e pa mundur. Weselam Alejkum werahmetullahi teala we berekatuhu.

Dr Ferid Piku