Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Midis altarit dhe algoritmit: influenceri që zhveshi mantelin e priftit…

Midis altarit dhe algoritmit: influenceri që zhveshi mantelin e priftit…

Alberto Ravagnani

Alberto Ravagnani nuk është më një prift, të paktën jo sipas rregullave të institucionit të Kishës. “Prifti-influencues” i famshëm italian, i cili grumbulloi qindra mijëra ndjekës përmes videove në palestër, kërcimeve dhe bisedave motivuese, njoftoi javën e kaluar tërheqjen e tij nga priftëria.

Ky vendim nuk erdhi në heshtje, por si një fushatë e mirëfilltë mediatike. Me intervista në gazetat më të mëdha, dalje në podkaste dhe një libër që pritet të dalë së shpejti. Për 32-vjeçarin, ky nuk është një largim nga besimi, por një rebelim ndaj “barrës së përsëritshmërisë” dhe detyrimeve institucionale.

Ai deklaroi se dëshiron të lidhet me botën që nuk e vlerëson veladonin e priftit, duke synuar të mbetet një udhërrëfyes shpirtëror, por pa kufizimet e një famullie. Shkurtimisht, ai dëshiron të jetë “prift pa qenë prift”.

Karriera e Ravagnani-t në rrjetet sociale nisi gjatë pandemisë dhe u zgjerua me shpejtësi marramendëse. Megjithatë, stili i tij jo-tradicional shkaktoi fërkime të vazhdueshme me hierarkinë fetare.

Pika e vlimit arriti kur ai filloi të promovonte marka suplementesh ushqimore me sloganin ironik: “Të lutesh nuk mjafton!”. Kryedioqeza ndërhyri menjëherë, duke vënë në pikëpyetje përshtatshmërinë e një personi që pretendon të jetë udhërrëfyes shpirtëror ndërsa bën marketing komercial.

Përtej marketingut, Ravagnani ka hapur një diskutim të ndjeshëm mbi jetën private të klerit. Ai u ankua se në Kishë nuk lejohet subjektiviteti i priftit dhe se çështja e beqarisë trajtohet me hipokrizi.

Pa hyrë në detaje për marrëdhënie specifike, ai pranoi se jeta e tij emocionale dhe seksuale kishte ngecur, duke theksuar se askush në institucion nuk ka guximin të flasë hapur për nevojat njerëzore të priftërinjve./tesheshi.com/