Miftaraj: Rasti i përgjimeve është lojë e Thaçit

Njohësi i çështjeve politike Ehat Miftaraj, thotë se ajo që është proklamuar si skandal nga Hashim Thaçi dhe partitë opozitare, është thjeshtë lojë e presidentit.

Sipas tij, wshw shtrembwruar çwshtja e dhomws sw pwrgjimeve dhe mwnyra se si funksionon.

Miftaraj në “Deskun” e KOHËS ka thënë se Thaçi ka pushtet ende në PDK, dhe jo vetëm aty, pasi ka aleatë edhe në partitë tjera politike.

“Thaçi nuk është se ka hise vetëm në PDK, ai ka aleatë e kontakte në të gjitha partitë, ai ka raporte shumë të fuqishme në të gjitha institucionet, nuk flas për pushtetin që ka. Në aspektin praktik e shohim lojën e presidentit me përgjimet, ajo nuk është asgjë, nuk ka dosje aty, as thasë me dosje, është një aparat që incizon telefonatat e qytetarëve në rastet kur ka vendim të gjykatës. Nuk ka të bëjë kjo me një milion dosje, por në publik del se ka ndodhur një superskandal”, ka thënë Miftaraj.

Thaçi ka akuzuar Kurtin dhe disa ministra të VV-së se janë futur në dhomën e përgjimeve për tri ditë dhe se sipas tij, kanë përgjuar telefonata “në interes të mbajtjes së pushtetit”.

Miftaraj ka vlerësuar se kjo që po bën Thaçi ka të bëjë edhe me frikën e tij për humbjen e pushtetit dhe popullaritetit.

“Faktori ndërkombëtar investon shumë që të këtë qeveri legjitime me kompetenca të plota, këtu është i pakompromis. Por kur kemi të bëjmë me dialogun, me politika të mëdha, Thaçi thuajse nga vitit 2011 ka qenë personi kyç, që nëse ndërkombëtarët kanë pasur nevojë për një adresë, ajo ka qenë zoti Thaçi. Kjo frika që të mos jesh më i kërkuar nga ndërkombëtarët dhe kur e sheh një lider të ri në ngritje, dhe sipas sondazheve do ta kemi një lider të pakontestueshëm në 5 apo 10 vitet, atëherë edhe historia ka treguar se ky tranzicion nuk është i lehtë. Ai që shkon nuk e lë pushtetin në mënyrë aq paqësore”, ka thënë Miftaraj.