Milani kampion i Italisë, pas 11 vjetësh

Kampionët e Italisë për edicionin 2021/22 janë AC Milan.

Skuadra e Milan është konfirmuar si skuadër kampione në Itali, pasi ka mposhtur Sassuolon me rezultatin 0:3, shkruan lajmi.net.

‘Rossoneri’ e nisën për mrekulli takimin, duke krijuar një numër të madh rastesh për shënim.

Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 17’, kur Olivier Giroud shënoi për 0:1, kurse i njëjti dyfishoi epërsinë në minutën e 32’.

Franck Kessie vulosi gjithçka në këtë ndeshje, duke shënuar për 0:3 në minutën e 36’. Ky ishte edhe goli i tij i fundit me fanellën e Milan.

Me 86 pikë të grumbulluara, Milan shpallet skuadër kampione, me dy pikë më shumë sesa Inter, që po ashtu sot fitoi 3:0.

Ky është titulli i parë për Milanin në 11 vitet e fundit, kurse i pari për Stefano Piolin në karrierën e tij prej trajneri.