Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë paralajmëroi se çdo ndërhyrje e jashtme për rrëzimin e regjimit të Iranit mund të krijojë probleme të reja në vend dhe në rajon, raporton Anadolu.
“Populli iranian nuk dëshiron ndryshim regjimi të imponuar nga fuqi të jashtme”, tha Boris Pistorius në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pas takimit të tyre në Berlin.
“Secili prej nesh e di shumë mirë se kjo shpesh mund të jetë shkaku i problemeve të tjera më pas. Pra, pavarësisht nëse ndodh apo jo, populli iranian qartazi nuk dëshiron ndryshim regjimi nga jashtë”, paralajmëroi ai.
Pistorius i bëri këto komente në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me protestat masive në Iran dhe deklaratën e fundit të kancelarit gjerman Friedrich Merz se regjimi iranian po jeton “ditët dhe javët e tij të fundit”.
Kallas dënoi shtypjen e protestuesve nga qeveria iraniane dhe shprehu solidaritet me demonstruesit, por paralajmëroi kundër pritshmërive jorealiste për rënien e regjimit.
“Për momentin, nuk është e qartë nëse regjimi do të bjerë apo jo”, theksoi ajo, duke shtuar se precedentët historikë tregojnë se tranzicionet e suksesshme kërkojnë alternativa të qëndrueshme nga brenda për të ruajtur funksionimin e shtetit.
“Historia është plot me shembuj ku regjimet janë rrëzuar, por pyetja është se çfarë vjen më pas”, tha Kallas. “Nevojiten alternativa – vërtet nga brenda – për të pasur një shtet funksional”, shtoi ajo.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sot u bëri thirrje demonstruesve antiqeveritarë në Iran të vazhdojnë protestat në mbarë vendin, duke u thënë se “ndihma është duke ardhur”.
“Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni – merrni kontrollin e institucioneve tuaja! Ruani emrat e vrasësve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë çmim të madh”, shkroi Trump në Truth Social. “Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa të ndalen vrasjet e pakuptimta të protestuesve. Ndihma është duke ardhur. MIGA!”, shtoi ai.
Trump përdori një akronim të ngjashëm me sloganin e tij “Make America Great Again” (MAGA), duke iu referuar në këtë rast Iranit.
Zyrtarët e qeverisë iraniane kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se po e mbështesin atë që ata e përshkruajnë si “trazira” dhe “terrorizëm”.
Nuk ka shifra zyrtare për viktimat, por Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (HRANA), një organizatë me bazë në SHBA, vlerëson se numri i të vdekurve ka arritur të paktën 646, përfshirë forcat e sigurisë dhe protestuesit, me mbi 1.000 të plagosur.
HRANA raportoi gjithashtu se të paktën 10.721 persona janë ndaluar gjatë protestave në 585 lokacione në mbarë vendin, përfshirë 186 qytete në të 31 provincat.



