Ministri iranian i Komunikacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Seyyed Sattar Hashemi tha se ndëprerja e internetit, e cila filloi më 8 janar pas fillimit të protestave, po i kushton ekonomisë së vendit afërsisht 34.5 milionë dollarë në ditë, transmeton Anadolu.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Mehr, Hashemi bëri deklarata në lidhje me ndikimin ekonomik të mbylljes së internetit të zbatuar nga qeveria pas fillimit të protestave më 28 dhjetor 2025.
“Humbja ditore për pjesën thelbësore të ekonomisë dixhitale vlerësohet në rreth 3.5 milionë dollarë. Kjo humbje mbulon kryesisht operatorët dhe sektorët që lidhen me infrastrukturën e rrjetit. Humbja ditore në makroekonomi vlerësohet në rreth 34.5 milionë dollarë”, tha Hashemi.
Ministri iranian theksoi se rreth 10 milionë njerëz janë të punësuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi në ekonominë dixhitale në vend dhe se ndalja e internetit dëmton drejtpërdrejt punësimin dhe jetesën e njerëzve, gjë që mund të ketë “pasoja sociale dhe sigurie”.
Kreu i Organizatës Profesionale të Sektorit të Inxhinierëve të Kompjuterëve dhe Teknologjisë së Informacionit në Iran, Ali Hakimjevadi deklaroi dje se dëmi i drejtpërdrejtë për ekonominë e vendit nga ndërprerja e internetit është rreth 20.6 milionë dollarë në ditë.
Në një vend ku interneti ka qenë jashtë funksionit për rreth 19 ditë, dëmi total ekonomik vlerësohet të jetë mbi 655 milionë dollarë.
– Protestat në Iran
Protestat në Iran, të cilat filluan më 28 dhjetor 2025 në Pazarin e Madh të Teheranit, të udhëhequra nga tregtarët, u përhapën në të gjithë vendin për shkak të zhvlerësimit të shpejtë të monedhës vendase kundrejt valutave të huaja dhe thellimit të vështirësive ekonomike.
Pas përleshjeve që shpërthyen gjatë protestave që u intensifikuan në kryeqytetin Teheran më 8 janar, qeveria bllokoi aksesin në internet.
Ndërsa zyrtarët iranianë nuk kanë publikuar ende një numër të përgjithshëm të vdekjeve ose të lëndimeve në incidente, Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA) me seli në SHBA raportoi se 5.858 persona humbën jetën dhe 41.283 u arrestuan gjatë protestave.
Një deklaratë e lëshuar më 21 janar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Fondacionit të Martirëve dhe Veteranëve Iranianë tregon se 3.117 persona, përfshirë forcat e sigurisë dhe civilë, humbën jetën gjatë protestave.
Nga këta, 2.427 u identifikuan si forca sigurie dhe civilë të vrarë nga “grupet e armatosura terroriste” ndërsa nuk u dha informacion për 690 personat e mbetur.
