Ministri kroat i shëndetësisë: 15 persona në gjendje të rëndë, mesin e tyre edhe një e mitur

Një autobus me targa të Kosovës ka dal jashtë rrugës Slavonski Brod të Kroacisë duke shkaktuar vdekje e dhjetë personave.

Autoritetet kroate tashmë kanë konfirmuar se në mesin e viktimave ishte edhe njëri prej shoferëve dhe nëntë pasagjerë.

Në spitalin rajonal ku janë pranuar edhe të lënduarit e tjerë ka qëndruar ministri kroat i shëndetësisë, Vili Berosh, i cili ka mbajtur një konferencë për shtyp, transmeton Telegrafi.

“69 persona, 67 pasagjerë dhe 2 shoferë janë përfshinë në aksident”, konfirmoi fillimisht Berosh.

“15 persona janë në gjendje të rëndë ku në mesin e tyre edhe një vajzë e vogël. Kishte edhe 15 të mitur të tjerë në autobus gjatë aksidentit”, shtoi Berosh.

Ndërkohë mjekja Maja Grba-Bujeviq, drejtoreshë e Institutit Kroat të Mjekësisë Emergjente, tha se tetë ekipe morën pjesë në ofrimin e ndihmës mjekësore.

“Në 6:23 morëm një telefonatë, në 6:26 shkuam në fushë”, tha Grba Bujeviq. Punëtorët e urgjencës ishin në vendin e përplasjes për pesë minuta, theksoi ajo.