Ministria e Arsimit: Greva e SBASHK-ut është e paarsyeshme

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë nesër do të mbajë një grevë njëditore. Kryetari i kësaj sindikate në një prononcim për lajmi.net gjatë ditës kishte paralajmëruar edhe grevë të përgjithshme nëse kërkesat e tyre nuk zbatohen.

SBASHK-u po kërkon që Projektligji për punëtorët e arsimit në vitet e 90-ta të dërgohet në Parlament.
Për këto kërkesa qeveria e Kosovës ka kërkuar kohë nga kjo SBASHK-u.Kurse sot gjatë ditës Ministria e Finacave deklaroi se nuk kanë fonde për momentin që të zbatohen këto kërkesa.

E në gjithë këtë situatë ka reaguar edhe Ministria e Arsimit.Kjo ministri në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se ata e kanë dërguar me kohë në qeveri Projektligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me kohë e ka proceduar për në Qeveri Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Madje ata kanë shprehur interesim që ky projektligj të merr rrugën e duhur, dhe kërkesat e SBASHK-ut të zbatohen.“Veç asaj që ne e kemi procesuar tutje, pra ne i kemi kryer obligimet që kemi si MAShT, po ashtu kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me SBASHK-un, dhe ata e kanë informatën e plotë që ne jemi të interesuar që sa më shpejt ky Projektligj i rëndësishëm të merr rrugën e duhur”, ka bërë të ditur ministria e Arsimit.

MASHT e ka vlerësuar këtë grevë si të paarsyeshme. Thonë se është interes i qeverisë që këto kërkesa të zbatohen.“Derisa SBASHK-u është në dijeni që vullneti i MAShT-it dhe Qeverisë është që ky Projektligj të shkoj sa më parë në Parlament dhe të jetësohet, ne nuk e shohim të arsyeshme grevën e paralajmëruar”, përfundon përgjigja e MASHT-it për lajmi.net.

Ndryshe greva të tilla SBASHK-u ka mbajtur edhe gjatë muajit shkurt. Ata kanë edhe kërkesa të tjera, për të cilat janë takuar me kryeministrin dhe ministrat përgjegjës.