Mirënjohësi (Esh Shekuru), Pjesa II

Kur Ebu Bekri (r.a) dëgjoi ajetin: ”Zoti ka blerë nga besimtarët veten dhe pasuritë e tyre, pasi ata do të kenë Xhennetin….”[1] tha: ”Zoti na i jep këto gjëra, ne ia kthejmë përsëri dhe Ai na falënderon dhe na shpërblen me Xhennet!”

Le të hyjmë për disa çaste në Xhennet dhe të shohim ato që ka përgatitur Esh-Shekuru për ne. Le të imagjinojmë për disa çaste dhe të shkojmë në Ditën e Kijametit. Imagjinoje veten duke dhënë llogari, duke kaluar Siratin… dhe në fund thërritet emri yt: ”O filan! Unë jam i kënaqur me ty. Unë të jam Mirënjohës për ato që ke vepruar. Shko dhe hyr në Xhennetin Tim!” Përfytyro sikur në këto çaste po qëndron para derës së Xhennetit. Profeti (a.s) ka thënë: ”Pragu i derës së Xhennetit, është sa distanca mes Mekes dhe Sirisë. Megjithatë, njerëzit do të shtyhen për të hyrë.” Vallë, sa vlen dynjaja në ato çaste që po hyn në derën e Xhennetit?

“Ata që patën frikë Zotin do të hyjnë në Xhennet, grumbuj-grumbuj.”[2]

O vëlla dhe o motër, ku e shikon veten? A e shikon Musanë (a.s) Po Ibrahimin (a.s) Po nënën e Isait (a.s) Merjemen, a e dallon duke hyrë në Xhennet? Po prindërit e tu, a i shikon gjëkundi? A i shikon duke duke pritur të hyjnë në Xhennet dhe ti ndihesh mirë?

Hapja e derës së Xhennetit do të vonohet. Për këtë, të gjithë njerëzit, së bashku me ty, do të shkojnë tek babai i njerëzimit, Ademi (a.s) të cilit do t’i kërkojnë të hapë derën. Ai do t’i kthejë mbrapsht dhe të gjithë njerëzit do të nisen për tek profetët e tjerë: Ibrahimi (a.s) Musai (a.s) Nuhu (a.s) Isai (a.s) …, derisa të vijnë tek profeti Muhammed (a.s) . Ai do t’u përgjigjet: ”Unë e hap atë. Unë e hap atë.” Imagjinoje gëzimin tënd dhe gëzimin e të gjithë njerëzve kur të shohin profetin Muhammed (a.s) dhe përgjigjjen e tij shpresëdhënëse. Imagjinoje veten pranë të Dërguarit të Zotit (a.s) kur të trokasë dyert e Xhennetit, për t’i hapur. Nga ana tjetër e dyerve dëgjohet zëri i melekut: ”Kush është tek dera?” Profeti (a.s) do t’i përgjigjet: ”Muhammedi biri i Abdull-llahut.” Meleku do t’i përgjigjet: ”Zoti më ka urdhëruar të mos e hap veçse për ty, o i Dërguari i Zotit.” Imagjinoje veten dhe të gjithë njerëzimin duke hyrë në Xhennet. Në ato çaste të gjithë përsërisin ajetin: ”Falënderojmë Zotin që e largoi nga ne trishtimin. Me të vërtetë që Zoti ynë është Gjithëfalës dhe Mirënjohës.” Në çastet kur je duke hyrë në Xhennet, do të kujtohet Esh-Shekuru. Do të kujtohet Zoti Mirënjohës.

Vallë, në shoqërinë e kujt do të jesh duke hyrë në Xhennet? Çfarë ke bërë për këtë fe që ta meritosh shoqërinë e Profetit (a.s) duke hyrë në Xhennet? A ke ndihmuar jetimët që ta meritosh shoqërinë e Profetit (a.s), i cili ka thënë: ”Unë dhe përkrahësi i jetimit, do të jemi kështu në Xhennet.” (dhe afroi dy gishtat)

Teksa jeni duke hyrë në Xhennet, Zoti i Madhërishëm do të thërrasë: “O banorët e Xhennetit, nga Unë do të keni katër gjëra: Do të jetoni dhe nuk do të vdisni, do të jeni të shëndetshëm dhe nuk do të sëmureni, do të jeni të rinj dhe nuk do të plakeni dhe do të jeni të lumtur dhe nuk do të hidhëroheni.”

Njëherë, shokët i thanë Profetit (a.s) “O i Dërguari i Allahut, na e përshkruaj se si janë ndërtesat e Xhennetit?” Ai u tha: “Ndërtesat e Xhennetit janë një tullë prej floriri dhe një tullë prej argjendi, suvatimi është prej misku (lloj parfumi), gurët janë prej diamanti dhe çatia e tyre është Arshi i Allahut.”

A e shikon sa e pavlerë është kjo botë, o vëlla? Profeti (a.s) ka thënë: ”Kjo botë nuk ka vlerë tek Zoti as sa krahët e një mushkonje.” Nëse e gjithë kjo botë me të mirat e saj, nuk vlen as sa krahët e një mushkonje, po ti, o vëlla dhe o motër, sa ke marrë nga kjo botë? Sa ke marrë nga krahët e mushkonjës? Mblidhi të gjitha paratë, pasuritë e paluajtshme, makinat, shtëpitë…

Profeti (a.s) i pyeti një herë shokët e tij: ”A e dini se kush ka pozitën më të ulët në Xhennet?” – “Kush, o i Dërguari i Zotit?” – e pyetën ata. Profeti (a.s) u tha: ”Është ai që udhëton për një mijë vite në vendin e tij në Xhennet dhe nuk arrin në fund.” – “Po ai që ka pozitën më të lartë, o i Dërguari i Zotit?” – e pyetën shokët. Profeti (a.s) u tha: ”Është ai që e shikon Zotin mëngjes dhe mbrëmje.”

Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) ka thënë: “Personi që do të ketë pozitën më të ulët në Xhennet, është ai njeri që do të dalë i fundit nga zjarri duke ecur këmbadorasi. Sa herë që kërkon të dalë, e tërheq flaka dhe e përpin, derisa arrin të dalë me zor dhe thotë: “Falënderoj Zotin që më shpëtoi prej teje ( nuk dua gjë tjetër)!” Do t’i thotë Zoti: “O robi Im, shko dhe futu në Xhennet!” Por, kur shkon atje, i duket sikur është i mbushur dhe nuk ka vend për të dhe do t’i thotë Zotit: “O Zot, shkova dhe nuk gjeta vend se ishte i mbushur.” Zoti do t’i thotë: “O robi Im, a nuk të mjafton sikur të kesh pasurinë dhe të mirat e mbretit më të madh që ka ekzistuar në dynja?!” – “A po tallesh me mua, o Zot?” – do t’i thotë njeriu. Por Zoti do t’i thotë: “Në Xhennet do të kesh të mirat e mbretit më të madh që ka qenë në dynja dhe dhjetë herë më shumë, do të kesh çfarë të duash, çfarë të shohin sytë dhe do të jesh i përjetshëm.”

Profeti (a.s) ka thënë : “Një metër vend në Xhennet, është më i mirë se kjo botë më të mirat e saj.” Ka njerëz që punojnë me dhjetra vite për të blerë disa metra vend në bregdet, apo një hyrje në qendër. Një metër tokë në këtë botë kushton shumë shtrenjtë. A e di sa është një metër tokë në Xhennet? Një metër vend në Xhennet, fitohet me dy rekate namaz. Një metër në Xhennet blihet me një gjysmë hurme sadaka. Një metër në Xhennet blihet me një fytyrë që buzëqesh. Një metër në Xhennet blihet me ndihmën që i ofron një nevojtari. Një metër në Xhennet blihet me një Umre në Qabe. Një metër në Xhennet, blihet duke i përkëdhelur kokën një jetimi. A e shihni sa i lirë është një metër vend në Xhennet? Kjo, pasi të lirë e bën vetë Esh-Shekuri.

Kënaqësia më e madhe në Xhennet do të jetë kur banorët e tij të shohin Zotin e Madhërishëm. Një kënaqësi e tillë do të jetë e papërshkrueshme. Zoti i Madhërishëm do t’i pyesë banorët e Xhennetit një e nga një: ”O filan, a je i kënaqur me Mua?”

Esh-Shekuri do të na japë gjithë këto të mira dhe do të na pyesë: A jeni të kënaqur?

4 – Obligimet dhe ndikimi që ky emër ka në jetën tonë dhe si të jetojmë me emrin Esh-Shekur?

Ø Duke dhënë sa më shumë të kemi mundësi.

Profeti (a.s) ka thënë: ”Kush i largon një besimtari një brengë nga brengat e kësaj bote, Zoti do t’i largojë brengat e botës tjetër.” Ditën e Kijametit do të jesh i shqetësuar dhe nuk të nxë vendi për një të keqë që ke vepruar në këtë botë. Kjo e keqe do të tregohet para të gjithë njerëzve dhe vetë prindërve të tu. Nëse do të thuhet para të gjithëve, do të jetë skandal i madh për ty. Por kur fillojnë të numërohen të këqiat, ti shikon se ajo nuk gjendet. Ajo të është fshirë, pasi ti në këtë botë u ke larguar brengat dhe hallet njerëzve në nevojë. Për këtë, Zoti i Madhërishëm të largon brengat e Ditës së Kijametit.

Profeti (a.s) ka thënë: ”Kush i largon një besimtari një brengë nga brengat e kësaj bote, Zoti do t’i largojë brengat e botës tjetër. Kush ua lehtëson vështirësitë njerëzve, Zoti ia lehtëson atij në këtë botë dhe në botën tjetër. Kush ia mbulon të metat dikujt, Zoti do t’ia mbulojë të metat atij në këtë botë dhe në tjetrën. Zoti është në ndihmën e robit, përderisa ai është në ndihmën e vëllait të tij. ”

Për Zotin, kënaqësia e të dhënurit është më e madhe se gëzimi kur merr. Kjo, nëse e njeh siç duhet Mirënjohësin e madh.

Ø Adhuroje sa më shumë Mirënjohësin.

Fal namazin, fal namaz nate, lexo Kur’an, përmende Atë sa më shpesh, lute shumë… dhe dije se do të jetë Mirënjohës për këtë.

Ø Tregohu i sinqertë me Mirënjohësin.

Ai të jep çmimin më të lartë të mallit që ti ofron. Kështu, nuk ke përse të bësh lojra të dyfishta, nuk ke përse të adhurosh tjetër kënd veç Mirënjohësit të madh. Ndodh shpesh që mirësitë dhe shpërblimi i Zotit të Madhërishëm të vonohen. Kjo, me qëllim që të provojë sinqeritetin tënd. Bëje të mirën për hatër të Mirënjohësit. Bëje të mirën se është e mirë dhe jo me qëllim që të lavdërojnë njerëzit. Mos e bëj të mirën me qëllim që të përmendet emri në gazeta dhe në televizione.

O vëlla dhe o motër, a e imagjinon se si do të ishte shoqëria nëse emri Esh-Shekur do të ishte i përhapur mes njerëzve? A e imagjinon se si do të ishte gjendja e tyre, nëse njerëzit do e njihnin siç duhet Zotin e Madhërishëm me emrin Esh-Shekur? Si do të ishte situata në shkollat tona, nëse fëmijët edukoheshin me emrin Esh-Shekur? A do të vuanin jetimët e shkretë? A do të kishte krizë për vende dhe për ilaçe në spitalet tona? Nëse mediat vizive dhe ato të shkruara do të flisnin më shumë rreth këtij emri, shoqëria do të ishte më kompakte dhe më solide.

Amer Halidi

[1] – Sure Teube: 111.

[2] – Sure Zumer: 73.

Amer Halid