Misteri i hotelit

Në një hotel të Parisit, vjen një ditë një burrë i huaj dhe i thotë sportelistit:”A është e lirë dhoma 39?”
Sportelisti i përgjigjet:”Po, e lirë është.”
Burri pyeti:”A mund ta prenotoj për sonte?”
Sportelisti, duke i zgjatur çelësin iu përgjigj:”Sigurisht.”
Para se të ngjitej sipër, klienti e pyeti sportelistin:”Më falni, por… a mund të më siguroni një thikë të zezë, një pe mëndafshi 39 cm dhe një kokërr portokalli 72 gram?”
Sportelisti u çudit nga këto kërkesa, megjithatë ia siguroi të gjitha. Atëherë, klienti u ngjit në dhomë, pa kërkuar as ushqim, as pije dhe asgjë tjetër.”
Për fatin e tij të keq, sportelisti pushonte natën në dhomën përbri dhomës 39. Pas mesit të natës, ai dëgjoi zëra tepër të çuditshëm të cilët vinin nga dhoma 39. Ato u ngjanin zërave të egërsirave, thyerje dhe goditje. Ai krijoi bindjen se të nesërmen dhomën do e gjente një grumbull hiri. E gjitha nata i kaloi duke u menduar se çfarë mund të kishte ndodhur në dhomën përbri. Në mëngjes, para se klienti të largohej, sportelisti u ngjit të kontrollojë dhomën, të cilën e gjeti në rregull. Sakaq, thika e zezë, portokalli dhe peri i mëndafshit qëndronin mbi një tavolinë.
Klienti bëri pagesën, madje i la dhe një bakshish të majmë sportelistit dhe u largua.
Kaloi një vit.
Sportelisti e kishte harruar pothuajse fare historinë e asaj nate. Një vit më pas, në të njëjtën ditë, vjen sërish i njëjti klient dhe kërkon po dhomën 39. Sportelistit iu kujtua menjëherë gjithçka kishte ngjarë atë natë.
Klienti kërkoi dhomën 39, pa harruar thikën e zezë, perin e mëndafshtë dhe portokallin 72 gram. Atë natë, sportelisti vendosi ta hetojë çfarë do të ndodhë. Për këtë, ai qëndroi gjithë natën pa mbyllur sy.
Pas mesit të natës, filluan të njëjtat zëra dhe zhurma që kishte dëgjuar një vit më parë. Ishin po të njëjtat zhurma thyerjesh dhe përplasjesh, por këtë herë më të fuqishme. Zërat ishin të mistershëm dhe të pakuptueshëm.
Në mëngjes, klienti u largua pasi kishte bërë pagesën dhe sigurisht dhe bakshishin e majmë. Sportelisti mbeti me gisht në gojë. Vallë çfarë ndodhte në atë dhomë? Çfarë ishin ato zëra? Çfarë i duheshin thika e zezë, peri i mëndafshit dhe portokalli?
Iku dhe ai vit, në pritje të vitit pasues se çfarë të rejash do të sillte.
Një vit më pas, në të njëjtën ditë, vjen klienti i mistershëm dhe kërkon të njëjtat gjëra, sigurisht dhe të njëjtën dhomë. Sportelisti sërish qëndroi gjithë natën pa vënë gjumë në sy. Sakaq, zërat dhe zhurmat këtë herë ishin edhe më të forta se një vit më parë. Në mëngjes, para se klienti të largohej, kur ishte afruar të bëjë pagesën, sportelisti i tha:”Më ndjeni zotëri! Por doja t’ju bëj një pyetje! Çfarë ndodh në dhomën tuaj pas mesnate?”
Burri misterioz e pyeti:”Nëse ua tregoj, a më premtoni se nuk i tregoni njeriu?”
Sportelisti:”Po u premtoj se nuk do i tregoj njeriu.”
Burri:”A betoheni?”
Sportelisti:”Po, betohem.”
Dhe burri ia rrëfeu të gjithë historinë sportelistit, i cili nga ana e tij, e mbajti fjalën dhe nuk i tregoi askujt.

Nga. Elmaz Fida