Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë në intervistë në RTK se po presin certifikimin e rezultateve për të shqyrtuar mundësinë e koalicioneve.
“Kemi 29 deputetë prej të cilëve 23 janë të LDK-së, 4 janë të AKR-së dhe 2 të Alternativës. Certifikimi final do të ndodh shumë shpejt. Kemi lënë mundësinë e hapur që të bisedojmë me VV-në dhe të shohim se a mund të krijojmë afërsi programore që na siguron që ne do të qeverisim dhe do të realizojmë synimet tona që kemi, edhe në fushën e zhvillimit ekonomik edhe në fushën e sundimit të ligjit dhe integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Mustafa, kryeministër në detyrë.
Ai ka thënë se nëse mund të gjejnë një afrim programor me VV-në, mund të vazhdojnë më tutje. “Nëse jo, mund të vazhdojmë secili në rrugën e vet”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, prej se ka marrë këtë post nuk u takua asnjëherë në një tavolinë me Albin Kurtin e Visar Ymerin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, ai thotë se pas zgjedhjeve është takuar në një tavolinë me Kurtin dhe Ymerin.
“Është hera e parë që jemi takuar prej se jam kryeministër me z. Kurti dhe z. Ymeri në një tavolinë të tillë. Kemi biseduar më shumë për proceset. Nuk kemi biseduar konkretisht për koalicionin”, ka thënë Mustafa në RTK.
Mustafa ka thënë se duhet të shohin programin dhe çdo gjë duhet të bëhet mbi bazë të një programi.
“Sa duhet të jetë i pranueshëm dhe a mund të sintetizohet si i tillë që të mund të shprehë interesat e një koalicioni të tillë apo jo. Këto çështje mbeten të bëhen pasi të ndodhë certifikimi. Dhe pasi koalicioni që ka dalë i pari të ketë mundësinë të bëj tentimin e vet në Kuvend”, tha kryeministri në detyrë Isa Mustafa.