Mustafa prezanton projektligjin për Trepçën, e quan jetik

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar para deputetëve projektligjin e ri për Trepçën.

Mustafa e ka konsideruar këtë projektligj si jetik për Trepçën, duke shtuar se ligji përcakton qartë se resurset minerare janë të Trepçës.

“Para jush të paraqes për shqyrtim dhe miratim projektligjin për Trepçën. Është i rëndësisë së veçantë për Kosovës sepse Trepça paraqet një sinonim të zhvillimit të Kosovës. Me këtë projektligj synojmë ta hapin të ardhmen e Kosovës e asesi të kthehemi prapa. Ligji përcakton qartë se resurset minerare janë pronë e Kosovës dhe në këtë ligj prona e Trepçës është dhe mbetet pronë e Trepçës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se Trepça do të jetë shoqëri aksionare, me 80 për qind të Qeverisë dhe 20 për qind të punëtorëve.

“Trepça sipas këtij ligji do të organizohet si shoqëri aksionare me 80 për qind dhe 20 për qind aksione të punonjësve të Trepçës. Organizimi i tillë jam i bindur se nxit konkurrencë dhe kjo është një zgjidhje që ka treguar rezultat në vendet tjera”, ka thënë Mustafa për deputetëve.