Nagavci: Shtatori duhet të na gjejë me punëtorë arsimorë të vaksinuar me të dy dozat kundër Covid-19

Ministrja e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se deri në shtator të gjithë mësimdhënësit duhet të përfundojnë dy vaksinat kundër COVID-19.

Përmes një statusi në Facebook, Nagavci ka thënë se dëmet e shkaktuara në arsim nga pandemia janë evidente dhe shumë dimensionale prandaj, duhet mobilizim i të gjithëve që të arrijnë përmirësim të gjendjes dhe rezultatet e synuara.

Ky është statusi i tij i plotë:

Të dashur mësimdhënës, të gjithë duhet të përgatitemi për fillimin e vitit të ri shkollor, pra edhe të vaksinohemi:

Ne jemi duke planifikuar që vitin shkollor 2021-2022 ta fillojmë me pjesëmarrje të plotë fizike, andaj stafi arsimor duhet të jenë të përgatitur dhe të vaksinuar.

Dëmet e shkaktuara në arsim nga pandemia janë evidente dhe shumë dimensionale prandaj, na duhet mobilizim i të gjithëve që të arrijmë përmirësim të gjendjes dhe rezultatet e synuara.

Shtatori duhet të na gjejë me punëtorë arsimor të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër Covid-19. Fatmirësisht ka mjaftueshëm vaksina të cilat janë të aprovuara dhe të sigurta.

Vaksinimi është një nga parakushtet për kujdesin ndaj vetes dhe shëndetit publik si dhe krijimin e kushteve për mësim me prezencë fizike andaj dhe punëtorët arsimor duhet të jenë shembull në këtë drejtim.

Ju bëj thirrje të gjithë juve që akoma nuk jeni vaksinuar, që pa humbur kohë të caktoni terminet për vaksinim në mënyrë që ta mbroni shëndetin tuaj dhe të të tjerëve, por edhe që të jemi të gatshëm për një fillim sa më të mbarë të vitit shkollor.

Shëndet të gjithëve!