Nata e fundit në shpellë

Shpella Hira

Atëbotë, në Hixhaz ekzistonte një qytet, Beke, i vetmi që kishte faltore të shenjtë. Vendi i kësaj faltoreje ishte i lashtë aq sa ishte e lashtë vet toka, dhe njerëzit i shërbenin asaj me atë që ata besonin. Qindra metra larg kësaj faltoreje, gjendet një kodër e lartë,që më vonë do të quhej “kodra e ndritshme„ në zemër të së cilës ndodhet një shpellë, ekzistenca e së cilës është e lidhur ngusht me faltoren e shenjtë. E, brenda kësaj shpelle gjendej një njeri, i cili i kishte mbushur 40 vite hëne dhe nuk po e gjente rehatinë. Ai shpeshherë largohej prej qytetit të tij, dhe ngjitej lart në kodër, derisa arrinte në shpellë, dhe me ditë të tëra qëndronte aty. Ikte nga qyteti, banorët e të cilit ishin zhytur në injorancë dhe idhujtari, të cilët e kishin mbushur faltoren e shenjtë me qindra idhuj-zota prej guri, ishte ky qytet, njerëzit e të cilit i varrosnin për së gjalli vajzat e tyre, por edhe zotërinjtë që kishin skllavëruar shumë njerëz, burra e gra, e që i trajtonin sikur të mos ishin fare njerëz. Madje, edhe poetët ishin bërë aq të paskrupullt duke i thurrur vargje të bukura pronarëve të skllevërve, të cilët krenoheshin me mizorinë dhe përbuzjen ndaj tyre. Duke qëndruar lart në shpellë, ai e sodiste qytetin që prej aty dukej i qetë. Qëndronte me ditë e net të tëra dhe meditonte çdo orë e çast. Nuk gjente dot përgjigje dhe arsye se përse kishte kaq shumë idhuj në faltore, se përse vajzat po varroseshin për së gjalli…
Ai ishte i njohur në qytet si njeriu më besnik që ata njihnin, jo vetëm pse e kishte gjetur zgjidhjen për ta vendosur gurin e zi në vendin e duhur. Por, edhe pse ishte besnik, ai nuk po mund të gjente rrugën e udhëzimit dhe të shpëtimit për banorët e qytetit të tij, për njerëzit të cilët qenë të ndarë në fise dhe lindnin me privilegje, dhe bëheshin tregtarë e të pasur si të parët e tyre, në shërbim të të cilëve qëndronte shoqëria e skllevërve, pa të drejta elementare, që lindnin të lirë, e që kur rriteshin bëheshin skllevër sepse ishin njerëz me ngjyrë. Banorët e këtij qyteti ishin bërë aq mendjemëdhenj kryeneq, sa që kishin arritur që t`ia lejonin vetes që çdo familje të kishte një idhull-zot në shtëpi, dhe një të tillë në faltoren e shenjtë…
Gruaja e tij ishte grua fisnike. Ajo tashmë ishte mësuar me vendndodhjen e bashkëshortit të saj dhe nuk dërgonte më njerëz për ta kërkuar si dikur. Porse tashmë, ajo ia përgatiste ushqimin dhe përmes njerëzve të afërm ia dërgonte në shpellë. Asnjehërë nuk e pyeti se përse largohej nga shtëpia, nga qyteti. Ajo shqetësohej për të dhe ndoshta ishte personi i vetëm që kujdesej dhe druhej për rehatinë e tij. E po kush tjetër të shqetësohej dhe të kujdesej për të, për njeriun i cili kishte lindur dy muaj pas vdekjes së babait të tij, e në moshë fare të vogël i kishte vdekur nëna, kishte mbetur jetim dhe i tillë ishte rritur, pa e kuptuar asnjëherë se përse jetimi nuk ka babë dhe nënë?! Ai asnjëherë nuk e kishte pasur mendjen te ushqimi, as atëherë e as më vonë, por gëzohej me faktin se sa herë që i vinte ushqimi, e dinte se atje poshtë për të po mendonte fisnikja e tij, e cila përmes dërgimit të ushqimit njëkohësisht edhe po e motivonte që të qëndronte në shpellë derisa t`i vinte sihariqi për të dalur nga ajo shpellë. Po ç`vlerë kishte dalja nga shpella pa sihariq?! Të dilte nga shpella, të shkonte në shtëpi, të kujdesej për familjen, dhe përsëri të kthehej në shpellë?! Kjo veçse do të ishte bërë rutinë për të. Gjithsesi, duhej të ekzistonte një forcë hyjnore që do ta largonte atë nga shpella.
Në mbrëmje posa fillonte koha të ngrysej, ai e sodiste qytetin e tij, të cilin e bënte të mahnitshëm ndezja e pishtarëve. Ai e dinte se qytetin e tij e kishin ndërtuar njerëzit, se të mirat dhe të ligat që ishin në qytet ishin prej njerëzve. Ai e dinte se qyteti i tij e kishte një udhëheqës, një sundimtar, dhe të gjithë banorët e qytetit të tij duhet ta respektonin dhe ta ndiqnin atë, të besonin si ai dhe se gjithçka që bëhej në qytet ishte meritë e tij.
E kur binte terri dhe pishtarët fikeshin, ai e kthente kokën kah qielli dhe mahnitej me yjet që dukeshin si margaritarë. Sa herë e drejtonte shikimin kah qielli, seç e kaplonte një dëshirë e madhe për tu ngjitur lart, dëshirë kjo, e cila e lehtësonte shpirtërisht dhe e bënte që ta ndjente se vetëm mrekullitë prej qielli do ta nxisnin për të zbritur prej shpellës.
Përditshmëria dhe përnatshmëria e tij çdo herë ishin të ngjajshme, qoftë në meditim, qoftë në soditje, me përjashtim të hënës e cila çdo natë e ndyshonte çehrën e saj.
Ndërsa në qytetin e tij po forcohej idhujtaria dhe po thellohej injoranca gjithnjë e më shumë, dhe ai e kishte humbur shpresën për drejtësi dhe rehati në tokë, qëndrimi i tij në shpellë ende nuk po përfundonte, sikur po priste diç prej qielli. Ai vazhdonte të rrinte në shpellë, të sodiste dhe të meditonte, dhe priste sikur dikush ta ketë frymëzuar dhe joshur për të pritur dhe për të marrë ndonjë sihariq. Ishte nata e fundit për të në shpellë dhe ai këtë nuk po e dinte. Kjo natë iu duk sikur po bëhet më e terrshme, jo pse pishtarët më nuk po ndriçonin në qytetin e tij si netëve të tjera. Jo pse në qiell kishte më pak yje. Ai nuk po e mendonte largimin nga shpella, sepse tashmë ishte përshtatur me kushtet e shpellës. Ama kjo natë kaq e terruar, kushedi se çfarë do t`i sillte. U bë shumë terr dhe qyteti ishte në gjumë i tëri, ishte në qetësi. Edhe më terr e më qetë u bë në shpellë. E, ai ishte aty! Në zemër të kodrës! Në shpellë! I vetmuar! Si asnjëherë më parë, ai e ndjeu vetminë! E ku mund të jesh më i vetmuar se sa natën në një shpellë e cila gjendet në zemrën e një kodre?! Ai nuk mundte të futej më thellë në shpellë, se shpella nuk ishte aq e thellë e as e gjerë për tu fshehur e as për ta larguar shikimin nga çfarëdo që mund të ndodhte. Filloi zemra t`i dridhej dhe sytë e tij po kërkonin një dritë, ku ai mund ta përqëndonte shikimin e tij. Dhe për një çast u shndrit gjithçka rreth e rrotull tij, e sa hap e mbyll sytë u shndrit i gjithë horizonti dhe seç ndjeu një shtrëngim të fortë në gjoks. Befas e dëgjoi një zë, një thirrje, një urdhër, një shpallje:
“Lexo!„
Tha: “Nuk di të lexoj!„
Shtrëngimi iu bë më i fortë dhe për së dyti herë sërish e dëgjoi:
“Lexo!„
Tha: “Nuk di të lexoj!„
Shtrëngimi ia bllokoi tërë trupin, gati sa nuk i doli shpirti, dhe iu shpallën këto fjalë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).
Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).
Lexo! Se Zoti yt është më bujari!
Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë„
Duke i dëgjuar këto fjalë, ai qe i detyruar edhe t`i përsëriste!
Ashtu siç bie një trup i këputur, i plogësht dhe pa ndjenja, ai ra përtokë i kllaposur. Nuk ishte asnjë njeri afër që t`i ndihmonte. Deri në çastin kur e dëgjoi zërin, ai pati menduar se ishte vetëm. Por jo! Ai nuk e dinte se me të ishte e gjithë bota qiellore!
Sapo filloi të këndellej, ashtu me trup të plogësht, nisi të largohej nga shpella dhe kur u gjeti veten në mes të kodrës, sërish e dëgjoi një zë që i vinte nga qielli:
“O, Muhamed, ti je pejgamber i Allahut, unë jam Xhibrili!„
Ai u shtang dhe nuk mund të ecte as para as pas. E ngriti kokën lart dhe e pa Xhibrilin në formën e tij më mahnitëse.
U largua nga kodra dhe me vrap shkoi drejt e në shtëpinë e vet. Posa arriti në shtëpi, pa e ndërruar asnjë fjalë të vetme me askë, as me gruan e tij, i tha asaj “Më mbulo, më mbulo“. Asnjëherë më parë nuk ishte në atë gjendje shpirtërore, sa të kërkonte të mbulohej, të flinte gjumë të thellë. E kishte zënë gjumi, po trupi vazhdonte t`i dridhej. Shpallja tashmë kishte filluar. Dhe për të gjumi nuk do të ishte si më parë, nuk do të ishte më me ëndrra që do të shihte vetëm shenja, porse në ëndrra do t`i shpalleshin edhe shumë udhëzime. Pas asaj që iu shpall në shpellë, e që tashmë ishte i mbuluar dhe ishte në gjumë, atij iu shpallën edhe këto fjalë:
“O ti i mbuluar!
Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrë).
Dhe madhëroje Zotin tënd!
Dhe rrobat tua pastroji!
Dhe prej të keqes së ndyrë largohu!„
U zgjua dhe afër tij qëndronte gruaja e tij, Hatixhja, së cilës ia tregoi ngjarjen rreth shpalljes. Ajo në atë çast u tregua e pjekur dhe e qetë duke ia thënë këto fjalë:
“Mos u frikëso. Zoti yt nuk të dëshpëron, sepse ti i mban lidhjet me të afërmit, e mbron të dobëtin, i jep atij që ka nevojë, i nderon mysafirët, e flet të vërtetën dhe bën mirë sa herë të mundesh!„
Ishte Hatixhja, ajo që e besoi këtë shpallje pa e vë në dyshim asnjë grimë, dhe se ishte e para e cila e mbolli në zëmrën e saj për mos ta çrrënjosur kurrë dëshminë se “Nuk ka të adhuruar tjetër Zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i tij.“
Kjo dëshmi u bë vulë dhe besë e pranimit të njëshmërisë së Allahut dhe Muhamedit rob dhe i dërguar i Tij. Kjo ishte vula dhe mesazhi me të cilën besimtarët dhe besimtaret do ta besonin islamin për fe të tyre, Allahun për Zot, Muhamedin për pejgamber dhe Kuranin për libër të tyre- udhëzues për ta arritur devotshmërinë. Pas Hatixhës, këtë shpallje e pranuan edhe Ebu Bekri, Zejdi, Uthmani, Talha, Zubejri, Aliu e të tjerë. Të gjithë këta pasi besuan dhe dëshmuan, filluan që në fshehtësi këto shpallje e porosi t`i përcillnin te njerëzit te të cilët kishin besim dhe miqësi. Kështu që, Ebu Bekri i cili ishte pasanik dhe fisnik, kishte zënë shoqëri me Bilalin-skllavin e Umejes. Një natë vonë ai vendosi që të shkonte në lagjen e skllevërve për ta takuar Bilalin. U afrua qetësisht dhe me hapa të ngadaltë afër murit ku Bilali ishte mbështetur dhe përmes vrimës së murit ai e thirri pëshpëritshëm dhe me kujdes emrin e tij: “Bilal, Bilal!“ Bilali u shtang kur e pa Ebu Bekrin se ai asnjëherë nuk e kishte menduar se Ebu Bekri do të vinte në mesnatë tek ai.
“Ebu Bekër, çfarë ka ndodhur?!„“
“Të kam sjellë lajme!“
“Çfarë lajme?!“
“Është paraqitur pejgamberi!“
“E kush është ai?!“
“Muhamedi, i biri i Abdullahut!“
“Çka është ajo që ai thërret?!“
“Ai na thërret që ta adhurojmë për Zot krijuesin e qiellit, yjeve, diellit, hënës së shndritshme, reve përplot me të reshura, shkretëtirave të gjera, kopshteve, deteve, lumenjve dhe ajrit të pastër. Thirrja e tij nuk bën dallim në mes zotëriut dhe skllavit. Para Zotit të Gjithësisë të gjithë janë të barabart…“
Pas diskutimit me zë pëshpëritës, i mahnitur nga ajo që po e dëgjonte, me plot bindje, Bilali dëshmoi se “Nuk ka të adhuruar tjetër Zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i tij.“
Kjo histori nuk përfundon këtu. Ky është vetëm fillimi…
Thirrja për ta besuar Allahun për Zot dhe Muhamedin për pejgamber, ishte thirrja e cila do të vazhdonte të përcillej prej njërit te tjetri, brez pas brezi, mot pas moti, dhe se do të mbetej një thirrje që do t`i sfidonte të gjitha kohët, do t`i sfidonte edhe njerëzit më të fortë që kishin lënë nam në shoqëritë dhe perandoritë e kohës dhe epokave që do të shfaqeshin më vonë. Kjo thirrje do të vazhdojë të jehojë dhe do të jetë sfiduese përgjithmon. Ata që do t`i përgjigjen kësaj thirrje me sinqeritet dhe devotshmëri, do të jenë të shpëtuar dhe të shpërblyer në të dy botët!!!

Musa Limani